Kryebashkiakja demokrate e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka marrë pjesë sot në mbledhjen e organizuar nga kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët.
Në fokus të kësaj mbledhjeje ishte performanca e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
Kujtojmë se Ademi nuk ka qenë e pranishme në mbledhjet e mëparshme që Rama ka zhvilluar me kryebashkiakët së fundmi, por mesa duket këtë radhe e vetmja demokrate mes kryetarëve të bashkive ka vendosur të bëjë një përjashtim dhe të bëhet pjesë.
E pyetur nga gazetarët sot pas takimit me kryeministrin nëse është gati për zgjedhje, Ademi tha se duhet të presim vendimin e 2 nëntorit.
“Do duhet të presim vendimin e 2 nëntorit.”- tha ajo.
Kryebashkiakja Ademi vlerësoi punën e bërë nga bashkia që ajo drejton, për ofrimin e ujit të pijshëm 24-orë për qytetarët e Shkodrës.
“Unë kam detyrën që të përgjigjem për bashkinë e Shkodrës, ne ofrojmë ujë të pijshëm 24 orë në qytet, performojmë më mirë kur bëhet fjalë për çmimin, kemi rritur ujin e matshëm në mënyrë të dukshme.
Duhet të kemi në konsideratë çdo indikator, nga viti 2016 kur e morën, në Bashkinë Shkodër nuk ka pasur investime, ne kemi investuar vetë, edhe pse duket në shifra modeste.
Ne kemi adresuar edhe pranë ministrisë nevojën për investime, për të shmangur humbjet.”- tha Ademi.