Një gjykatë në Moskë ka dënuar një burrë nga Taxhikistani dhe të dashurën e tij ruse me 10 muaj pas hekurave pas një sesioni fotografik para katedrales së famshme të Shën Vasilit. Ata u shpallën fajtorë për fyerje të ndjenjave të besimtarëve.
Muajin e kaluar, Ruslan Bobiev (emri i vërtetë i të cilit është Ruslani Murojonzod) dhe Asya Akimova (Anastasia Chistova) publikuan foto në rrjetet sociale të marra nga katedralja ikonë e Sheshit të Kuq.
Fotoja më e diskutueshme ishte ajo ku Akimova ulet në gjunjë, duke simuluar seksin oral, ndërsa kishte veshur një xhaketë policie.
Të dy u arrestuan më vonë, të akuzuar për shkelje të një ligji që synon të ndëshkojë ata që kryejnë veprime ‘me qëllim të fyerjes së ndjenjave fetare të besimtarëve’.
Bobiev dhe Akimova janë të parët që dënohen me burg sipas këtij ligji, ku të gjithë të dënuarit më parë janë ndëshkuar me gjobë ose me kusht.