Vendosni fjalën kyçe....

Bashkia e Tiranës njofton qytetarët për abonetë: Pikat ku do shiten dhe rregullat e reja


Bashkia e Tiranës ka publikuar një njoftim për të gjithë qytetarët të cilët kërkojnë që të pajisen me abone të përgjithshme, duke u bërë me dije se mund t’i tërheqin ato te kioskat pranë stacioneve të autobusit.

Në njoftim thuhet se për të shmangur abuzimet, pajisja me bileta të pajtimit mujor (abone) të përgjithshme dhe linje do të bëhet e shoqëruar me foto dhe do të plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit.

“Informojmë qytetarët se, mbështetur në kuadrin ligjor në fushën e transportit për shërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve të transportit publik qytetës me bileta të pajtimit mujor (abone), sipas Udhëzimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 3743, datë 10.7.2017 ‘Mbi modelet dhe standardet e biletave të transportit rrugor të udhëtarëve, të ndryshuar), pajisja me bileta të pajtimit mujor (abone) të përgjithshme dhe linje bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit. Pikat e shitjes se aboneve te përgjithshme ndodhen te kioskat pranë stacioneve të autobusit.”- thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

Për t’u ardhur në ndihmë studentëve, Bashkia bën me dije se pajisja me Kartelën e Pajtimit Mujor (Abone Studenti) bëhet në pikat e hapura posaçërisht, sikurse janë: kioska tek “Ushtari Panjohur”, rruga “Ludovik Shllaku”; kioska tek 9 – katëshet, rruga “Barrikadave”; kioska tek ish – 7 Xhuxhat, rruga “Elbasanit”, si dhe kioska pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, rruga “Muhamed Gjollesha”.
Gjatë paraqitjes në këto pika, studentët duhet të kenë me vete Kartën e Studentit, si edhe foton.