Vendosni fjalën kyçe....

Bamir Topi: Basha e Berisha një person i vetëm, foltorja komunikim nga halli


Ish-presidenti Bamir Topi tha mbrëmjen e sotme se reagimi i Sali Berishës për krizën në PD erdhi vetëm pasi u prek interesi i tij.

Topi ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa në News24 ku theksoi se Basha e Berisha e kanë marrë peng selinë blu.

“Padyshim që janë këta dy individë që kanë marrë peng PD-në. Partitë krijohen jo për t’i shërbyer individëve, por qytetarëve. Këtu ka ndodhur një proces i kundërt me evolucionin, këtu po ndodh një tkurrje. Janë dy individë që deri në fillim të shtatorit kanë qenë bashkë. Ka vetëm dy rrugë, ose kanë qenë bashkë, ose tani po del në pah një hiprokrizi. Duke i rezervuar vetes një pozicion komod duke mos u shprehur, ai mori autorësinë. Unë s’po e njoh më Berishën në strukturën karakteriale të tij. Berisha ka qenë një njeri që gjithmonë është ekspozuar, por për gjërat që kanë të bëjnë me ekzistencën e PD dhe kryetarit të partisë, ai hesht. Ndërsa tani kur është prekur lëkura e tij është vendosur në një pozicion satirik. Unë i gjykoj të dy si një person të vetëm. Njëri është pjellë i tjetrit. Të dy kanë bashkëqeverisur. Këto situata e kanë ulur shumë figurën e Berishës. Ne e shohim që Berisha edhe në këto kushte e ka marrë bazën e partisë Bashës.” – tha Topi.

Ish-presidenti shtoi më tej se Berisha nuk mund ta thërrasë i vetëm Kuvendin dhe se për këtë duhej ngriturnjë komision. Po kështu ish-deputeti demokrat tha se foltorja e thirrur nga Berisha është një komunikim halli.

“Berisha ka thënë para kohe gjëra që nuk duhet t’i thoshte. Unë nuk gjykoj performancën e Berishës, por në rast se ai kërkon mbledhjen e Kuvendit s’mund t’ia japi atributin vetes duke publikuar datën. Duhet të kërkonte një komision, dikush tjetër duhet ta kishte hedhur datën si hipotezë. Nuk duhej thënë nga Berisha se ai është person i interesuar për garën. Nëse kjo kalon në struktura, Berisha s’e merr aksesin. Foltorja është një komunikim prej halli, por jo se nuk ka të drejtë në raport me drejtimin e PD, por e gjithë kjo mbyllet në binomin Berisha-Basha, ata të dy s’kanë kujt t’ia hedhin përgjegjësinë për këtë punë.” – shtoi Topi.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani