Vendosni fjalën kyçe....

“Halyna ishte shoqja ime”- Alec Baldwin flet për herë të parë pas vrasjes së kineastes në xhirimet e filmit “Rust”


Aktori amerikan Alec Baldwin ka thyer heshtjen duke folur për herë të parë për paparacët, pas aksidentit fatal në xhirimet e filmit të tij “Rust” që rezultoi me vrasjen aksidentale të kineastes Halyna Hutchins.

Të shtunën, Alec Baldwin dhe gruaja e tij Hilaria Baldwin u shfaqën duke folur para paparacëve. Baldwin u tha paparacëve se nuk i lejohet të flasë për detajet e aksidentit dhe hetimit që është në vazhdim. 

“Nuk më lejohet të bëj asnjë koment sepse është një hetim në vazhdim.”- u tha Baldwin të pranishmëve. “Unë jam urdhëruar nga Departamenti i Sherifit në Santa Fe. Nuk mund t’i përgjigjem asnjë pyetjeje në lidhje me hetimin. Nuk mundem.”

Halyna Hutchins vdiq pasi Baldwin e qëlloi atë aksidentalisht me armë gjatë xhirimeve të filmit të tij. Ajo ishte 42-vjeçe. Regjisori i filmit, Joel Souza, 48 vjeç, gjithashtu u plagos në shpatull.

“Ajo ishte shoqja ime.”- u tha Baldwin paparacëve. “Ditën që mbërrita në Santa Fe për të filluar xhirimet, e nxora atë për darkë bashkë me regjisorin Joel”.

Gruaja e Baldwin-it u përpoq ta ndërpresë por ai vijoi të fliste: “Ne ishim një ekip shumë… i mirë që xhironim një film së bashku dhe më pas ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme.”

Baldwin përsëriti në videon katër minutëshe se atij i është thënë disa herë se nuk i lejohet të flasë për hetimin në vazhdim. Gruaja e tij u mërzit kur një nga ata që po pyesnin nuk i kujtohej emri i Hutchins.

“Emri i saj është Halyna.”- tha Hilaria. “Nëse po kaloni kaq shumë kohë duke na pritur, duhet ta dini emrin e saj.”

Baldwin tha se u takua me burrin e kineastes së ndjerë dhe djalin e saj të vogël pas incidentit, por tha se ai “nuk do të dinte se si të kategorizonte” se si shkoi takimi. “Djali është i mbytur nga pikëllimi.”- tha Baldwin. “Ka aksidente të rastësishme në grupe filmash herë pas here, por asgjë si kjo. Ky është një episod në një trilion.” Aktori, i cili është gjithashtu producent i “Rust”, tha se ai është në “kontakt të vazhdueshëm” me burrin dhe djalin e Hutchins, të cilët janë “në shok”.

“Ne jemi duke pritur me padurim që Departamenti i Sherifit të na thotë se çfarë ka dhënë hetimi i tyre.”- tha Baldwin.

Çifti Baldwin, të cilët kanë gjashtë fëmijë së bashku, nuk pranuan të thonë pse po qëndronin në Vermont dhe kërkuan që të mos ndiqeshin më pasi ata thanë se fëmijët e tyre ishin duke qarë në makinë sepse po ndiqeshin. Ndaj u kërkuan paparacëve që të mos vazhdonin t’i ndiqnin më.