Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 93-vjeçare Ado Campeol, i njohur si “babai i Tiramisusë”


Ndahet nga jeta në moshën 93-vjeçare pronari i restorantit Ado Campeol, i cili konsiderohet nga mediat italiane “babai i Tiramisusë” pasi ëmbëlsira e famshme u shpik pikërisht në restorantin e tij.

Campeol ishte pronar i Alle Beccherie, një restorant në Italinë veriore ku ëmbëlsira e famshme u shpik nga gruaja e tij dhe një kuzhinier.

Pjata, e cila përmban biskota të njomura me kafe dhe mascarpone, u shtua në menunë e tyre në vitin 1972, por nuk u patentua kurrë nga familja, shkruan BBC.

Që atëherë është bërë një element kryesor i kuzhinës italiane, i përshtatur nga shefat e kuzhinës në mbarë botën.

Ka patur mosmarrëveshje të gjata në lidhje me origjinën e tiramisusë, duke përfshirë pretendimet se ajo shërbehej si afrodiziak në një bordello në qytetin verior italian të Trevisio.

Megjithatë, pranohet gjerësisht, se receta është zhvilluar në restorantin Campeol në qytet. Luca Zaia, guvernatori i rajonit Veneto, ishte ndër ata që reaguan lidhur me ndarjen nga jeta të Campeol-it, duke postuar në Tëitter se qyteti kishte “humbur një yll tjetër në historinë e tij të ushqimit dhe verës”.

Alle Beccherie u hap nga familja e Campeol në vitin 1939 dhe Ado Campeol mori përsipër biznesin në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sipas bashkë-shpikësit të ëmbëlsirës, ​​shefi i kuzhinës Roberto Linguanotto, pjata ishte rezultat i një aksidenti gjatë përgatitjes së akullores me vanilje.

Linguanotto hodhi pak djathë mascarpone në një tas me vezë dhe sheqer, dhe pasi vuri re shijen e këndshme të përzierjes, i tha gruas së Campeol-it, Alba.

Dyshja më pas e përsosi ëmbëlsirën duke shtuar biskotat e lagura me kafe dhe duke e spërkatur me kakao – dhe ia vunë emrin Tireme Sù.

Pjata u shfaq në shtyp në vitin 1981 në Veneto, në një botim lokal kushtuar ushqimit dhe verës, dhe tani është një nga ëmbëlsirat më të njohura të Italisë.

Variantet e tiramisusë përmbajnë alkool si rum ose marsala, por receta origjinale – e certifikuar nga Akademia Italiane e Kuzhinës në vitin 2010 – ishte pa alkool sepse synohej të përdorej nga fëmijët.