Vendosni fjalën kyçe....

Nju Jorku në hall për zjarrfikës, qindra punonjës marrin leje mjekësore për të shmangur vaksinimin


Qindra zjarrfikës të qytetit të Nju Jorkut morën pushim mjekësor të premten në vend që të respektonin afatin e kryebashkiakut Bill de Blasio që të gjithë punonjësit e qytetit të vaksinoheshin ose të vendoseshin në pushim pa pagesë – duke bërë që disa shërbime zjarrfikëse të mbyllnin dyert e tyre për shkak të mungesës së stafit.

“Leja e tepruar me arsyen se janë të sëmurë, për shkak të zemërimit të tyre ndaj vaksinës me detyrim për të gjithë punonjësit e qytetit është e papranueshme,” tha komisioneri i FDNY (Fire Department New York) Daniel Nigro, i cili mbikëqyr një departament ku më shumë se një e katërta e punëtorëve nuk e kanë bërë vaksinën kundër Covid-19.

Nigro tha se vendimi i tyre për të marrë leje mjekësore mund të ‘rrezikojë jetën’ e banorëve të qytetit, duke shtuar se është ‘në kundërshtim me betimet e tyre për të shërbyer’.

Të gjithë punëtorët komunalë u urdhëruan të tregojnë prova për të paktën një dozë të vaksinës deri në orën 17:00 të së premtes ose rrezikojnë të vendosen në pushim pa pagesë të hënën.

“Pavarësisht këtyre veprimeve nga disa, departamenti do të vazhdojë t’i përgjigjet të gjitha thirrjeve për ndihmë që na vijnë,” tha Nigro.