Shefi ekzekutiv i Barclays (BARC.L) Jes Staley do të japë dorëheqjen pas një hetimi nga rregullatorët britanikë për lidhjet e tij me autorin e dënuar seksual, Jeffrey Epstein, duke i dhënë fund një sundimi të diskutueshëm gjashtë vjeçar në bankën e drejtuar prej tij.
Staley do të zëvendësohet si CEO nga kreu i bankës për tregjet globale, C.S. Venkatakrishnan, i cili të hënën u zotua të vazhdojë strategjinë e paraardhësit të tij.
Barclays tha se ishte vënë në dijeni të premten në mbrëmje për përfundimet paraprake nga hetimi i kruer lidhur me marrëdhënien e Staley me Epstein.
“Duke pasur parasysh këto përfundime dhe synimin e zotit Staley për t’i kundërshtuar ato, Bordi dhe Z. Staley kanë rënë dakord që ai të largohet nga roli i tij si shef ekzekutiv i Grupit dhe si drejtor i Barclays”, tha banka. Aksionet e Barclays ranë me 2% pas njoftimit.
Barclays tha vitin e kaluar se rregullatorët financiarë të Britanisë po hetonin lidhjet midis Staley-t dhe Epstein-it, i cili vrau veten ndërsa priste gjykimin për veprat penale të trafikimit seksual. Staley ka thënë më parë se marrëdhënia e tij me Epstein, për të cilën tani i vjen keq, përfundoi në fund të vitit 2015.