Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar se Damian Gjiknuri është propozuar si bashkëkryetar, për Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Diskutimi do të fokusohet në prioritetet e këtij buxheti, në dobi të qytetarëve. Në mbledhjen e grupit të PS kemi diskutuar dhe për kërkesën e ardhur nga grupi i PD për ngritjen e komisionit Posaçëm të Reformës zgjedhore.
Ne kemi miratuar dakordësinë tonë të plotë sot për të ngritur këtë komision, ku do të propozojmë zotin Gjiknuri si bashkëkryetar. Shpresojmë që këtë të bëjë edhe PD. Më pas të dy bashkëkryetarët do të formojnë dhe formulojnë projektvendimin. Kemi shumë formula ekzistuese të mënyrës së organizmit të reformës zgjedhore. Ato janë drejtuar me bashkëkryetar, ose me ndërhyrjen e palëve. Ndaj le të vijojë puna, duke respektuar edhe të gjithë përfaqësimin parlamentar që kemi në kuvendit të Shqipërisë. Në këtë këndvështrim, sapo projektvendimi të jetë gati, sapo PD të propozojë bashkëkryetarin e tyre, ne të kalojmë në Kuvend ngritjen e komisionit të posaçëm.
Propozimet kanë mbështetje prej më shumë se 28 deputetëve. Kuvendi e cakton qartë se si mbështeten nismat. Sapo të jetë plotësuar ky afat kryetari i Kuvendit të thërrasë mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit. Në këtë dispozitë të përcaktuar nga rregullorja, të jeni të sigurt se zonja Nikolla është mbi palët dhe do të respektojë rregulloren. Ju jeni vënë në dijeni. Do të kemi sot mbledhjen e parë të Këshillit të Legjislacionit dhe ligjeve. Propozimi ynë për ndryshimet kushtetuese është propozim që është rekomanduar nga miqtë ndërkombëtar të Shqipërisë, pasi ka të bëjë me çështje teknike për vijimin e një procesi historik, siç është sistemi i vettingut.”- tha Balla, në një komunikim me mediat nga Kryesia e Kuvendit.