Vendosni fjalën kyçe....

Videoja virale e Erdoganit ngre spekulime për shëndetin e tij, dyshime se përdor këpucë speciale për të mos u rrëzuar


Në Turqi kanë nisur thashethemet se presidenti Rexhep Tajip Erdogan mund të jetë sëmurë. Një video që ka qarkulluar së fundmi në rrjet tregon presidentin turk, i cili duket që ka vështirësi për të ecur dhe ka shumë njerëz që thonë se Erdoganit mund të duhet të largohet së shpejti nga detyra.

Në videon e xhiruar më 29 tetor, kur Turqia shënoi 98-vjetorin e themelimit të Republikës Turke, Erdogani shihet duke qëndruar mes flamujve turq në pallatin e tij presidencial pasi pranoi urimet nga të ftuarit për Ditën e Republikës. Pas përfundimit të ceremonisë, Erdogan kthehet majtas për t’u larguar nga salla, duke ecur me vështirësi, me këmbët e përkulura dhe trupin duke lëvizur përpara, ndërsa duart i mbeten pa lëvizje. Asistentët e tij i heqin me ngut pengesat para tij për t’i hapur rrugën.

Videoja u komentua nga miliona njerëz brenda disa orësh pas publikimit të saj të hënën në mbrëmje.

Shumë kujtuan se Erdogan në vitin 2002 i bënte thirrje kryeministrit të atëhershëm Bülent Ecevit të jepte dorëheqjen kur Ecevit dukej se kishte probleme shëndetësore, duke pretenduar se ai ishte i paaftë për të kryer detyrat e tij si kryeministër. Erdogan ishte në atë kohë kreu i Partisë së tij të sapokrijuar për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila erdhi në pushtet disa muaj pas thirrjes së tij ndaj Ecevit për të dhënë dorëheqjen.

Në disa medie kanë qarkulluar teoritë se Erdogan kishte veshur këpucë të dizajnuara posaçërisht që ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit dhe përgjithësisht vishen nga të moshuarit. Kostoja e këtyre këpucëve është rreth 9 mijë euro.