Ashpërsohet lufta mes kampeve mediatike të kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe liderit historik të kësaj force politike Sali Berisha.
Këtë të mërkurë, dy portalet fillimisht CNA.al dhe pastaj Syri.net kanë publikuar një shkrim ku tregohet dosja penale e një prej njerëzve të afërt të Lulzim Bashës.
Bëhet fjalë për Fitim Zekthin, i cili është anëtar i Kryesisë së PD-së. Sipas këtij shkrimi, Zekthi është dënuar në nëntor të vitit 2003 për mashtrim, një gjë që edhe vetë ai e pranon në formularin e tij të dekriminalizimit por që ky dënim nuk është ekzekutuar.
Bëhet fjalë për një histori, kur Zekthi është denoncuar nga kushërira e tij për mashtrim duke i marrë një sasi të konsiderueshme parash, dhe një pasaportë personale.
ARTIKULLI
Fitim Zekthi, anëtari i Kryesisë së PD-së, është dënuar në nëntor të vitit 2003 për mashtrim.
Zekthi e ka pranuar edhe vetë publikisht, një fakt të tillë, ku ka dorëzuar formularin e dekriminalizmit, ku justifikohet se dënimi ndaj tij nuk është ekzekutuar.
Por, e vërteta qëndron ndryshe.
CNA.al do të sjellë të plotë dosjen hetimore të Fitim Zekthit që e ka zanafillën në vitin 2003.
Denoncimi ndaj Zekthit
Sipas një dokumenti me numër 103 i datës 16.01.2003, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, ka referuar në Prokurorinë e të njëjtit qark, materialet në ngarkim të shtetasit Fitim Zekthi, për veprën penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.
Dokumenti është i firmosur nga Drejtori i Policisë së Elbasanit që në atë kohë ka qenë Niko Brahimaj.
Anëtari i kryesisë së PD, Fitim Zekthi është denoncuar me 16 Janar 2003, nga kushërira e tij, V. Zekthi për mashtrim.
Sipas Policisë, Zekthi e kishte mashtruar kushërirën duke i marrë një sasi të konsiderueshme parash, dhe një pasaportë personale.
“Kushërira V. Zekthi ka dashur të shkojë tek i fejuari i saj që ndodhet në Angli dhe për këtë ka biseduar me Fitimin, nëse mund ta ndihmonte për t’i nxjerrë një vizë të rregullt turistike për atje.
Fitimi i ka premtuar se do ta ndihmonte dhe i ka kërkuar pasaportën dhe certifikatën personale dhe herë pas herë ai i ka marrë edhe shuma të ndryshme kartmonedhash që shkojnë 1 250 dollarë amerikan dhe 700 000 mijë lekë të vjetra, duke e mashtruar me justifikimin se vizat po i vonon ambasada.”- thuhet në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Bledar Çeliku.
Pas këtyre hapave, kushërira, denoncuesja, V. Zekthi e ka takuar edhe herë të tjera për t’i marrë pasasportën dhe lekët e dhëna, por Fitimi është justifikuar, duke e mashtruar në mënyra të ndryshme.
Fitim Zekthi në vitin 2003 është larguar nga Beleshi dhe është vendosur në Tiranë dhe nuk i ka dhënë adresë të saktë kushërirës.
Pra, ka marrë paratë dhe është zhdukur.
Ky denoncim ka kaluar më pas në duart e Prokurorit të rrethit Gjyqësor, Elbasan, Dritan Gripshi.
CNA.al do të sjellë në ditët në vijim dokumente se si Fitim Zekthi, mashtroi kushërirën për vizën angleze çfarë vendosi gjykata, sa seanca gjyqësore janë mbajtur, çfarë kërkoi prokuroria në pretencë, si u dënua me burg, Fitim Zekthi dhe se si ka gënjyer se nuk i është ekzekutuar dënimi.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al