Drejtori i Policisë së Shtetit, Nano, ka pritur në zyrë ambasadoren amerikane Kim. Ky është takimi i parë që kur Nano u emërua në krye të institucionit në fjalë.
Nano falënderoi SHBA-në për ndihmën e dhënë ndaj policisë dhe garantoi se do punohet për rritjen e performancës së policisë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“SHBA-ja janë partneri ynë strategjik dhe kemi ndihmën e tyre për trajnimin, logjistikën, konsulencën. E vlerësoj shumë këtë bashkëpunim e mbështetje dhe sigurova ambasadoren që Policia e Shtetit do jetë në niveltet më të larta të performancës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Jam shumë i bindur se bashkë do ia dalim për të pasur rend e siguri më tepër në vendin tonë.” – tha Nano.
Ambasadorja amerikane nga ana e saj tha se e përgëzoi drejtorin e policisë për marrjen e detyrës duke e siguruar për mbështetjen e vijueshme nga ana e SHBA-së.
“Erdha këtu për ta uruar për pozicionin e ri. Do e ndihmojmë Policinë e Shtetit në kryerjen e detyrave të saj me pajisje të domosdoshme. Zoti Nano e unë jemi mbështetës të fortë të pranisë së policisë. Diskutuam edhe mënyrën sesi ligjzbatim të mbetet i ruajtur nga çdo lloj ndikimi që vjen nga jashtë.” – tha ambasadorja amerikane.