Vendosni fjalën kyçe....

Do e bindësh Kurtin për ‘Open Balkan’? Rama përgjigjet: Nuk imponohem dot, unë s’kam as degë të PS-së në Kosovë


Në Konferencën me gazetarët, kryeministri Edi Rama u pyet nëse do të mundohet në takimin e radhës që të bindë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që t’i bashkohet nismës së ‘Open Balkan’.

Por Rama tha se ai nuk bën dot përpjekje për t’u imponuar, ndërsa ironizoi lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit, duke thënë që ai nuk kishte as degë të PS-së në Prishtinë.

“Ne marrëdhënien me Kosovën e kemi speciale dhe kjo nuk varet nga as nga ‘Open’ as nga “Close Balkan”. Ne me Kosovën kemi një marrëdhënie speciale dhe kjo që as nuk vihet në diskutim. Ne do bëjmë çmos që marrëdhënien me Kosovën ta kemi sa më cilësore në aspektin e gjithë çështjeve që lidhen me ndërveprimin ekonomik, tregtar e kështu me radhë.

Përsëri po i kthehem, tjetër është një marrëdhënie biletareale mes dy ekonomive të vogla, sidoqoftë të vogla, mes dy vendeve sidoqoftë të vogla dhe tjetër është një ndërveprim multilateral në një hapësirë më të madhe. Është komplet gjë tjetër në krahasim me impaktin mbi ekonominë, mbi të ardhurat, mbi tregtinë dhe mbi të ardhurat e familjeve. Këto janë gjëra që unë i kam diskutuar, dhe i diskutoj, por unë nuk bëj asnjë përpjekje për tu imponuar, është vendimi sovran i atyre që kanë marrë votën dhe kanë mandatin për të vendosur në Kosovë. Nuk është as përgjegjësia as detyra ime që të ndërhyjë në Kosovë, pasi siç e dini unë nuk kam parti politike në Kosovë dhe nuk jam subjekt zgjedhor në Kosovë.”- u përgjigj Rama.