Vendosni fjalën kyçe....

Kina po grumbullon armë bërthamore shumë më shpejt sesa mendohej më parë – Raporti i Pentagonit


Kina po forcon arsenalin e saj bërthamor shumë më shpejt sesa mendonte Uashingtoni vetëm një vit më parë, thotë një raport i ri i Pentagonit, duke parashikuar se Pekini do të zotërojë të paktën 1000 koka bërthamore deri në fund të dekadës.

Departamenti i Mbrojtjes publikoi vlerësimin e tij më të ri për potencialin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA) në një raport vjetor të titulluar Zhvillimet Ushtarake dhe të Sigurisë që përfshijnë Republikën Popullore të Kinës.

“Ritmi i përshpejtuar i zgjerimit bërthamor të PLA-s mund t’i mundësojë Kinës të ketë deri në 700 koka bërthamore të gatshme deri në vitin 2027.” – tha një zyrtar i Pentagonit, duke përshkruar hollësitë kryesore të raportit.

Raporti thotë se Kina ka të ngjarë të ketë të paktën 1,000 koka bërthamore deri në vitin 2030, duke tejkaluar ritmin dhe madhësinë që ka parashikuar SHBA-ja në raportin e Fuqisë Ushtarake të Kinës 2020.

SHBA-ja e sheh Kinën si një rival strategjik në skenën botërore. Vendet kanë akuzuar njëri-tjetrin për nxitjen e tensioneve rreth Tajvanit dhe rajonit më të gjerë të Detit të Kinës Jugore.

Gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët, tha të mërkurën se forcat amerikane ‘kanë absolutisht aftësinë’ për të mbrojtur Tajvanin nëse Pekini përpiqet të pushtojë ishullin.