Vendosni fjalën kyçe....

Grabitja dhe dhunimi i biznesmenit në Nikël, policia operacion për kapjen e personave të përfshirë


Nazmi Çangu

Policia e Shtetit ka ndërmarrë mëngjesin e sotëm një aksion për vënien në pranga të autorëve të grabitjes dhe dhunimit të biznesmenit Nazmi Çangu.

Operacioni ka nisur prej orës 4 të mëngjesit, teksa është arrestuar një person, është shpallur në kërkim një tjetër dhe janë shoqëruar disa të tjerë.

Operacioni erdhi pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Gjykata e Krujës me kërkesë të Prokurorisë. Mësohet se kanë qenë gjurmët e lëna në vilën e biznesmenit Çangu nga autorët që kanë çuar në identifikimin e tyre, teksa nga kontrolli në një banesë janë zbuluar dhe sende të kundraligjshme. Në pranga ka përfunduar Saimir Kuçi, ndërsa është shpallur në kërkim Artan Kurti Lleshi, të dy të skeduar nga policia.

Sipas “Balkanweb”, Kuçi është arrestuar si pjesëtar i bandës që dhunoi brenda banesës biznesmenin Çangu.

Ndërsa Artan Kurti Lleshi dyshohet se është kreu i grupit kriminal dhe rezulton të jetë i skeduar në fushën e grabitjeve. Ai nuk është gjetur gjatë kontrolleve nga policia në banesën e tij dhe është shpallur në kërkim.

Kujtojmë se më 24 tetor pak pas mesnate në Nikël të Fushë Krujës, persona të maskuar janë futur brenda banesës së biznesmenit Nazmi Çangu për të grabitur  ku kanë dhunuar atë dhe kanë terrorizuar familjen e tij. Pas dhunës së ushtruar autorët kanë vjedhur para kesh dhe sende me vlerë që kapin shifrën e mbi 100 mijë eurove.