Vendosni fjalën kyçe....

LSI çon në Kuvend projektligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale: Të monitorohen dhunuesit, të prandalohen rastet e tjera të abuzimit të grave e fëmijëve


Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Kuvend një projektligj për krijimin e Regjistrit të krimeve seksuale.

“Dje dorëzova në Kuvend projekt-ligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale në bashkëpunim me CRCA/ECPAT Shqipëri. Miratimi i tij zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e fëmijëve e grave nga dhuna seksuale!”- shkruan në një postim në “Facebook”, deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho.

Ajo shprehet se ky regjistër ka si qëllim krijimin e një mekanizmi ligjor që mbron fëmijët dhe gratë nga dhuna dhe sulmet seksuale duke identifikuar vendndodhjen e të dënuarave për krime seksuale dhe monitorimin i aktivitetit të tyre.

Deputetja tregon se ky projektligj u nxit nga ngjarjet e rënda të dhunës që kanë ndodhur ndaj fëmijëve gjatë kohëve të fundit.

Çfarë shkruan Xhixho:

E tronditur pas ngjarjeve ulëritese të fundit, dhunimit shtazor të vajzës 6-vjeçare nga i ati dhe përdhunimit që në moshën 12-vjeçare të një tjetër vajze në Jug të vendit nga një familjar mbi 50-vjeçar. E pafjalë si grua, e shokuar si nënë, por plot nerv për të bashkuar zërat, për ta ndryshuar këtë realitet.

Raste të tilla, fatkeqësisht jo të izoluara duhen trajtuar siç duhet. Dhuna ndaj femijeve e grave sipas studimit 10-vjeçar të CRCA/ECPAT Shqipëri “Krimet Seksuale ndaj Fëmijëve dhe Grave në Shqipëri”, gjeti se të paktën 65 përqind e krimeve seksuale kryen ndaj fëmijëve, përgjithësisht fëmijë vajza.

Dje dorëzova në Kuvend projekt-ligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale ne bashkepunim me CRCA/ECPAT Shqipëri. Miratimi i tij zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e femijëve e grave nga dhuna seksuale!

Krijimin e Regjistrit Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale i cili duhet të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.

Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë.

Projekt-ligji ka për qëllim inkurajimin dhe përgatitjen e organeve kompetente shtetërore për të mbrojtur fëmijët, të rinjtë, gratë dhe çdo individ nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, vepra penale që prekin jo vetëm dinjitetin e individit, por edhe shkaktojnë pasoja të rënda në funksionimin normal të qenies njerëzore, duke siguruar që Regjistri të jetë një mjet efektiv për të identifikuar vendodhjen e të dënuarëve për krime seksuale dhe monitorimin i aktivitetit të tyre.

Ky eshte vetëm një hap i parë, që pret angazhimin e gjithë aktorëve të shoqërisë civile, qytetarët, median, kolegëve deputetë, akademikët. Të gjithë që mund të kontribuojnë me mendime sugjerime për të miratuar nje ligj që i shërben mbrojtjes së fëmijëve, grave nga dhunuesit seksualë.

Zëri ynë duhet sot, më i fortë se kurrë. E nesëmja është vonë dhe nuk do na e falë heshtjen.