Nga Mero Baze
Lulzim Basha nuk e ka zbatuar statutin. Kjo duket qartë së paku në dy raste, në atë të përtëritjes së Forumit Rinor dhe atë të Forumit të Gruas. Nuk e ka zbatuar pasi i ka pasur luajalë dhe nuk ka pas ndërmend të investohej diku tjetër.
Ndërkohë fushata e Sali Berishës kundër SHBA, e maskuar pas mungesës së respektimit të statutit nga Lulzim Basha, tani fillon të japë problemet e para Nëse statuti zbatohet, forumet duhet të përtërihen dhe meqë drejtuesit e tyre rrezikohen, ata shkojnë i bashkangjiten Berishës. Për çdo parti, ky do të ishte një problem, nëse drejtuesit e organizatave partnere të një partie, largoheshin nga partia. Por në rastin konkret, zbulohet një problem dhe më i madh, që ka të bëjë me investimet në organizatat partnere.
Në çdo parti, kryetari i Forumit Rinor apo kryetari i Gruas janë personalitete me identitet politik, që kur kundërshtojnë kryetarin apo kur vendosin të largohen, krijojnë një frymë të re politike.
Ajo që sot po ndodh është dhe më e trishtuar. Në krizën që ka PD dhe në debatin e vonuar të saj për rregullat e lojës, kryetari i Forumit Rinor së paku duhet të ishte promotor i një debati mbi palët, që duhet ta bënte të ndjehej i turpëruar Lulzim Basha dhe Sali Berisha.
Nëse të gjithë flasim se duhet të dalë një i tretë mbi palët dhe t’i japë fund demagogjisë anti-amerikane të Berishës, që fshihet pas statutit të nëpërkëmbur për 30 vjet të PD, gjithmonë kemi parasysh një të ri, që nuk ja dimë emrin, por që presim ta mësojmë.
Ajo që ndodh sot është më pikëlluese. Drejtues që kanë vegjetuar në PD se Lulzim Basha nuk ka ndonjë respekt për statutin e partisë, por i mban aty si njerëz luajalë, sapo u rrezikohet posti, vrapojnë tek e shkuara e PD, tek figura më e zezë e politikes shqiptare, që ka themeluar në këtë vend mungesën e respektit jo vetëm për statutin apo disidencën në parti, por dhe ndarjen bardh e zi të shoqërisë.
Në rastin konkret po vrapojnë drejt një njeriu që është simbol i mungesës së perspektivës politike të Shqipërisë, një njeriu që më shumë se kushdo tjetër në këtë vend, e tmerron më shumë ideja e fitores se kushdo tjetër.
Një parti që do të drejtohet nga Sali Berisha pasi të ndahet nga PD zyrtare e Lulzim Bashës, është një parti që nuk i duhet askujt. Më së paku i duhet Berishës. Nëse Sali Berishës i heq Lulzim Bashën si armik, ai kthehet brenda ditës në një mbetje toksike, që helmon këdo që ka pranë.
Lulëzimi i Foltores ka shkak Lulzim Bashën dhe pikërisht këto shkeljet e tij në statut, duke mbajtur pa zgjedhje Forumet e parties, si rinia apo gruaja. Një Sali Berisha në krye të një partie që nuk ka më punë me Lulzim Bashën, është një politikan që ka armik SHBA dhe është i destinuar të përballet me gënjeshtrën e tij disa mujore, që bën sikur lufton për statutin e Bashës.
Zhgënjimi është se të rinjtë që sot duhet të merrnin iniciativën për të ringritur PD, duke u ngritur mbi Bashën dhe natyrisht duke e përbuzur Sali Berishën, tani ikin se ngelen pa poste tek Basha, dhe shkojnë pranë dikujt që u helmon të ardhmen me të shkuarën e tij kriminale.
Tmerri i Sali Berishës, nuk është as statuti i PD, as vula e Lulzim Bashës, as PD zyrtare. Tmerri i Sali Brishës është momenti kur të mbarojë luftën me Bashën, kur të ketë partinë e tij dhe kur pastaj të gjithë t’i bëjnë atë pyetjen e pamëshirshme: Po tani çfarë do të bëjmë?
Atëhere gjithë ata që vrapuan drejt tij, gjoja se u shkel statuti, do të shikojnë se ata nuk kanë bërë betejë për statutin, por beteje për Sali Berishën, që t’i bëjë karshillëk SHBA dhe natyrisht do ta braktisin përsëri.
Nuk dua të paragjykoj të ardhmen e tyre, por do të jetë shumë vonë që pastaj të shfaqen si një forcë e re mbi palët. Atëherë do të jenë të keqpërdorurit e mëdhenj nga një njeri që përpiqet t’i përdorë si kamikazë në betejën e tij kundër SHBA, duke u maskuar si betejë kundër Bashës.
Dhe ky është dëshpërimi i madh që ngjall PD. Është dëshpërimi kur shikon kush aspiron ta drejtojë, është dëshpërimi ta shikosh ku shkojnë ata që rrezikojnë postet, dhe akoma më shumë, është dëshpërim kur shikon se të rinjtë e PD, janë adhurues të gjësë më të vjetër dhe aktualisht, mbetjes toksike të historisë së PD, që quhet Sali Berisha.