Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësues të biznesit të vogël e të mesëm.
Në këtë takim, deputetët e PD-së u shprehën se përkrahin biznesin e vogël në kërkesat për shtyrje të fiskalizimit dhe mbështetje financiare nga qeveria, në mënyrë që kostot e rritura nga fiskalizimi dhe monopolet të mos të çojnë bizneset drejt falimentimit.
Deputetët e pranishëm ishin Sorina Koti, Emilja Koliqi dhe Arbi Agalliu.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto dhe Bujar Muço thanë se përveç kreditimit, një ndihmë e madhe për biznesin do të ishte shtyrja e fiskalizimit, proces që kushton mesatarisht 1 mijë euro për çdo biznes.
“Nuk jemi kundër inovacionit, por qshtë barrë shumë e rëndë dhe proces i ndërlikuar, që i merr kohë biznesit. Ne kërkojmë të shtyhet dhe të shikohet mundësia për një fiskalizim më të thjeshtë dhe me sa më pak kosto”- u shprehën përfaqësuesit e biznesit të vogël.
Ata ia kanë drejtuar këtë kërkesë qeverisë për ta parashikuar në buxhet dhe në paketën fiskale 2022, por deri tani nuk kanë asnjë përgjigje. “Me këtë ritëm, 65-70% e bizneseve do të falimentojnë”- tha Kryetari i shoqatës Albert Nasto, i cili shprehu me shqetësim edhe rritjen e kostove për shkak të monopolizimit të tregut, duke nisur me karburantet.
Përfaqësuesit e PD thanë se kërkesat e arsyeshme të biznesit të vogël për të shpëtuar nga falimentimi janë minimale dhe qeveria duhet ta dëgjojë zërin e biznesit të vogël që mban ekonominë e mijëra familjeve shqiptare. Deputetët e PD në Komisionin e Ekonomisë mbështetën idenë e përfaqësuesve të biznesit të vogël për të protestuar kundër përkeqësimit të gjendjes ekonomike.