Lideri historik i PD-së Sali Berisha duket se nga “foltorja” në “foltore” po ndryshon qëndrim mbi shkarkimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.
Ai shpesh ka theksuar se me mbledhjen e firmave për të thirrur Kuvendin do e shkarkonte edhe Bashën.
Kjo ka bërë që mbështetësit e Berishës dhe kundërshtarët e Bashës të mprihen për shkarkimin e kryetarit aktual.
Por ditën e sotme Berisha theksoi se Kuvendi ka tjetër agjendë. Në “foltoren” me të rinjtë në Amfiteatrin e Akademisë së Arteve, Berisha tha “Kuvendi i ka të gjitha fuqitë të shkarkimit të kryetarit dhe çdo fuqi tjetër por unë mendoj se Kuvendi përgjigjen e parë duhet t’i japë ndryshimeve të thella statutore”.
Kjo është hera e dytë që Berisha zhgënjen ndjekësit e vet pasi i bëri ata të shpresonin se Kuvendi do shkarkonte Bashën. Tashmë sipas Berishën parësore për Kuvendin duhet të jetë ndryshimi i thellë i statutit.
Por Berisha ditën e sotme për të theksuar se qëllim parësor tashmë nuk ka shkarkimin e menjëhershëm të Bashës por ndryshimet statutore tha se shkarkimi i kryetarit duhet të bëhet edhe me votat e anëtarësisë.
“Meqë kryetari është zgjedhur me votën e anëtarësisë, shkarkimi i Lulzim Bashës përveçse nga Kuvendi duhet të bëhet edhe me votën tuaj në mbarë Shqipërinë”-theksoi Berisha.
A po ndryshon qëndrim Berisha për shkarkimin e Bashës? Kjo mbetet për tu parë nga veprimet që lideri historik do ndërmarrë në fund kur foltoret të mbyllen dhe të dorëzohen firmat për mbledhjen e Kuvendit./ Hashtag.al