Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët e LGBT-së i shkojnë në Kishë Pastorit Akil Pano: Pasi dëgjuam fjalën e Perëndisë mbetëm sërish gej dhe lezbike


Një grup aktivistësh të LGBT-së ishin ditën e djeshme në kishën ku vepron Pastori Akil Pano pas debatin që kanë pasur me Xheni Karaj mbi familjen heterogjene dhe mundësinë e krijimit të familjes edhe nga prindër të së njëjtës gjini.

Xheni Karaj e pranishme në Kishë shkruan se pas daljes nga saj duke dëgjuar Akilin “mbeti sërish lezbike”.

Ajo shpjegon se fjala e Perëndisë e përcjellë nga Akili ku shprehet se “më e madhja është dashuria”.

Postimi i plotë:

Erdhëm me mendjen e hapur se mos ndryshonim duke dëgjuar Akilin, por hiç… Mbetem lezbike e gej!

Dëgjuam të premten ftesën e Akilit për të frekuentuar Kishën e tij, ndaj erdhëm sot ta dëgjojmë me veshët tona fjalën e Perëndisë.

Erdhëm me mendje dhe zemër të hapur. Qëndruam dy orë, dëgjuam mesazhet që u ndanë sot.

Duke qenë se erdhëm me mendje të hapur shpresuam që perëndia të na vajoste me hirin e saj edhe të derdhte mbi ne të gjitha bekimet që ajo i derdh pa kursim mbi krijesat e veta.

I thashë vetes: jepi një shans pastorit, se nuk vlen ta injorosh. Se siç Perëndia i tha profetit Nehemia, ‘‘Kur, Zoti do të na thotë diçka mund t’i bëjë edhe gurët të flasin.

Pra mund ta injorosh Akilin, por jo Perëndinë!’’ Thashë, dëgjoje mesazhin që Perëndia do të të japë nga goja e Akilit më mirë se ta dëgjosh nga guri.

Mendova se pasi të dëgjoja shërbesën sot, ndoshta do ta doja më pak Livian, ndoshta do e shikoja dashurinë time për të si mëkat. Por, dola nga Kisha e Akilit e mbushur me dashuri! E dua Livian tani më shumë se dje dhe e falënderoj Akilin që u bë mjet që Perëndia të më thotë këtu, në shtëpinë e saj, se nuk ka asgjë të keqe tek dashuria. Përkundrazi, ajo është më e fortë edhe se vetë shpresa.

Të them të drejtën, Perëndia na foli sot. Na foli përmes Letrës së parë që Apostulli Pal u ka dërguar Korintasve, Kapitulli 13, ku thotë:

“Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë’’!

‘‘Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset’’,

‘‘Nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq’’;

‘‘Nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën,

‘‘I duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.

‘‘Dashuria nuk ligështohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet’’,

‘‘Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore’’.

‘‘Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.”

Tani e ka radhën Akili ta lejojë Perëndinë, ti flasë atij për dashurinë. Sepse – edhe njëherë – ‘‘Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset.’’