Vendosni fjalën kyçe....

Koncerti me 8 të vdekur, Travis Scott dhe Drake paditen për ngjarjen tragjike


Reperi amerikan Travis Scott po përballet me veprime ligjore pasi të paktën tetë persona u vranë dhe me qindra fansa mbetën të plagosur gjatë koncertit të tij në Teksas.

Një pjesëmarrës i plagosur i koncertit e ka akuzuar Scott dhe interpretuesin surprizë Drake se kanë nxitur turmën të përplasen dhe tani ai po kërkon 1 milion dollarë si dëmshpërblim.

As Scott dhe as Drake nuk kanë komentuar mbi padinë.

Në një deklaratë pas përplasjes, Scott tha se ai po punonte për të ndihmuar familjet e viktimave – më i riu prej të cilëve ishte vetëm 14-vjeç.

Ndërkohë në rrjetet sociale janë bërë homazhe për të vrarët.

“Kërcimi ishte pasioni i saj dhe tani ajo po kërcen drejt portave të parajsës.”- tha familja e 16-vjeçares Brianna Rodriguez në një deklaratë, citon BBC.

Incidenti filloi rreth orës 21:15 të së premtes kur turma filloi të shtyhej drejt pjesës së përparme të skenës.

Lucas Naçarati tha se brenda tre minutave pasi reperi doli në skenë, ai “ishte shumë i sigurt se njerëzit do të vdisnin”.

“Nuk mund të lëvizje, nuk mund ta gërvishtje fytyrën tënde, aq e ngushtë ishte.”- tha ai. Numri i madh i viktimave i zuri ngushtë mjekët e ndihmës së shpejtë që shkuan në vendngjarje. Rreth 300 njerëz u trajtuan për lëndime të tilla si prerje dhe mavijosje.

Policia në qytetin e Houston të Teksasit ka nisur një hetim, duke përfshirë kërkimin e raporteve të veçanta nëse dikush në audiencë po i injektonte njerëzit me drogë.

Disa pjesëmarrës të koncertit u desh të trajtoheshin kundër mbidozës së drogës, mes tyre edhe një oficer sigurie për të cilin policia tha se dukej qartë se kishte një shenjë injeksioni në qafë.