Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata dënoi për shpifje anëtarët e PD-së në Gjirokastër, selia blu: Gjyqtarit iu bë presion


Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Gjirokastrës, për të dënuar përfaqësuesit e kësaj force politike, të cilët denoncuan përfshirjen e policisë në atë që e quajnë “masakrën zgjedhore” të 25 Prillit.

Në njoftimin për medie, PD akuzon gjyqtarin Bedri Qori, se ka vepruar nën presionin e vetingut.

“Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore. Vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.”- thuhet në reagimin e PD-së.

PD thotë se ky vendim nuk do të shuajë zërin e opozitës për të denoncuar aktet kriminale të maxhorancës.

DEKLARATA E PLOTË
Gjyqtarët e korruptuar, si Bedri Qori, i dhanë sot Edi Ramës të drejtën për të përdorur policë të perfshirë në trafikun e drogës, si Olsian Bistro, për të legjitimuar vjedhjen e  zgjedhjeve.

Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore. Vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.

Nuk është shpifje që Olsian Bistro është i përfshirë në trafikun e drogës, gjatë kohës kur drejtonte Komisariatin e Pogradecit. Ky informacion i përket Shërbimit Informativ Shtetëror, që e identifikoi Olsian Bistron në listën e 128 policëve të përfshirë në trafikun e drogës në 2016-ën.

Shërbimet korruptive të gjyqësorit ndaj Edi Ramës nuk do ta ndalojnë Partinë Demokratike që të denoncojë përfshirjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe shitblerjen e votave.

Veglat e Edi Ramës në Gjykatë dhe në Polici nuk mund të shuajnë zërin e përfaqësuesve të PD kundër çdo akti kriminal dhe çdo vendimi korruptiv që minon demokracinë.