Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Kuvend: Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë sëbashku, këta mjelin shtetin si doktorë shkencash


Në seancën e sotme plenare, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi edhe njëherë qeverinë për nivelin e lartë të borxhit publik duke thënë se ka marrë borxh më shumë se çdo qeveri tjetër.

Ai u shpreh se këto para, shkuan për një grusht të vogël njerëzish.

“Sepse në 8 vite, edhe pse ka rritur taksat, Edi Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë së bashku, nga 1991 deri në 2013-ën, miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, të cilat nuk u kthyen në mirëqenie për familjet e thjeshta, as nuk shkuan për një sistem arsimor më të mirë, as për një sistem shëndetësor më cilësor, as në mbështetje për blegtorët dhe fermerët, as në rroga më të larta, as për pensione dinjitoze për të moshuarit tanë.

Miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, edhe njëherë sa të gjitha qeveritë të marra bashkë nga 1991 deri në 2013-ën, që nuk shkuan për qytetarët dhe as nuk e bën dot Shqipërinë një vend më të jetueshëm, por e kthyen në një vend që konkurron me shtetet në luftë civile për numrin e azilkërkuesve në Europë, në raport me popullsinë.

Po ku shkuan këto miliarda euro boxh?

Përgjigjja është e thjeshtë.

Në këtë shtet të cilësuar si i kapur nga korrupsioni nga “Transparency International”, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit  e rendit si vendin më të korruptuar në rajon dhe në Europë, këto miliarda euro borxh të marra në emër të shqiptarëve shkuan për një grusht të vogël njerëzish, të lidhur ngushtë me këtë që është ulur këtu mbrapa, që e mjelin shtetin e shqiptarëve si doktorë shkencash, edhe pse nuk kanë diplomë nga akademia e barinjëve me të cilën tallen për të mbuluar dështimin në sektorin e bujqësisë.

Mjafton t’i hedhim një sy projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm, ku duket qartë se cilat janë prioritetet e tyre.”- u shpreh Basha gjatë fjalës së tij në foltoren e parlamentit.