Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Vettingu do pastrojë politikën, kundërshtarët e tij një pakicë e papërfillshme


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka denoncuar qeverinë Rama se ka si prioritet PPP-të dhe grabitjen e shqiptarëve.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryedemokrati, tha se 2 miliardë euro për 7 kontrata të reja me PPP tregojnë prioritetin e qeverisë ndërsa mbi 50% e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë.

“2 miliardë euro për 7 kontrata e reja me PPP, tregojnë qartë se prioritet kanë përdorimin e paciptë të parave të familjeve shqiptare në shërbim të klientëve të tyre. Prandaj, kur e pyesin për largimin e shqiptarëve, ngre supet Sepse atë karrige e mban me dhe për një grusht të vogël oligarkësh. Jo për ndërtimin e kushteve të domosdoshme që të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi ta ndërtojnë të ardhmen këtu, pranë familjeve dhe njerëzve të dashur. Dhe kjo cmenduri me paratë e qytetarëve të vendit më të varfër të Europës, 50% e të cilëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social, sipas Eurostatit me një shifër që është më e larta në rajon dhe 2 herë me e lartë se mesatarja e BE-së. Kjo cmenduri dhe babëzi për pushtet dhe pasuri, ka bërë që të eksportojmë shqiptarë, të cilëve u është mohuar një e ardhme më e mirë në vendin e tyre, e të importojmë hallexhinj, nga cepat më të largët të botës, për të zëvendësuar bijët dhe bijat e shqiptarëve, me skllevër modernë, pa të drejta politike. Pak problem është për ta se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve, pra e pjesës më të gjallë dhe të kualifikuar të shoqërisë.” – tha Basha.

Basha shtoi më tej se ajo që ofron PD-ja për të luftuar korrupsionin mes politikanësh është vettingu në politikë.

Ai theksoi se kjo është mënyra e vetme për të prishur marrrëdhënien mes krimit, politikës e oligarkisë.

“U mjafton që zinxhiri i interesave që lidh politikanët e korruptuar dhe oligarkët të vazhdojë të qarkullojë miliarda euro, e ti pastrojë ato në parajsat fiskale, pa shqetësimin më të vogël se kjo rrotë e dhjamosur nga babëzia e pafre po rrokullis drejt humnerës ekonomike shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare. Natyrisht, kjo masakër me taksat e shqiptarëve, e cila prodhon edhe gjendjen e zymtë ekonomike dhe shoqërore në të cilën ndodhet vendi, nuk mund të ndalet me fjalë, as vetëm raporte ndërkombëtare që tregojnë natyrën e vërtetë të një pushteti të korruptuar. Ajo që ndodh jashtë kësaj salle, e ka origjinën në këtë sallë, ku shumica e qytetarëve nuk përfaqësohet si e tillë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionit. Dhe zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët shqiptarë është vettingu në politikë. Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë të politikanëve. Në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve.

Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shetin, ka shkërmoqur demokracinë, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët.” – shtoi më tej Basha.

Në fund kreu i PD-së tha se nisma e vettingut në politikë do ketë sukses njësoj si ligji i dekriminalizimit.

Sipas Bashës, kundërshtarët e vettingut në politikë do jenë vetëm një pakicë e papërfillshme teksa shumica e shqiptarëve e kërkon këtë gjë për pastrimin e politikës.

“Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë cdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë. Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër. Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Prandaj kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth. Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën. Madje edhe më të paktë duhet të ishin ata në radhët e Partisë Socialiste që kundërshtojnë propozimin e Partisë Demokratike. Sepse pasi i kanë shtuar vettingut për gjyqtarë e prokurorë, edhe  vettingun për policinë dhe tani vettingun për noterët, nuk kanë asnjë arsye për të mohuar për veten, atë që kanë votuar e duan të votojnë për të tjerët.E në rast se nuk pranojnë t’i nënshtrohen të njëjtit proces që kanë bërë të detyrueshëm me ligj për të tjerë, atëhere, cdo politikan i këtij vendi, më të varfërin e më të korruptuarin në Europë, duhet të dalin përpara qytetarëve, dhe ta thonë troc që e konsiderojnë veten e mbi ligjin.

Pasi ashtu sikurse luftuam për dekriminalizimin, që në fillim e kundërshtuan, por në fund u detyruan ta pranojnë, ashtu do të luftojmë për vettingun e politikanëve, dhe do ta cojmë një hap më para pastrimin e politikës. Duke hapur një horizont të ri në përfaqësimin politik, që do të përmirësojë cilësinë e vendmimmarrjes, do të normalizojë politikën, do të rigjallërojë demokracinë dhe do të zhbëjë status quo-në që mban peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.” – mbylli fjalën e tij Basha.