Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna ndaj gazetares nga polici, Rama: Për të ardhur keq, Policia e Shtetit nuk shan, kërcënon apo bën gjeste


Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi po prezantojnë sot Buxhetin e vitit 2022 për Ministrin e Brendshme.

Në këtë mbledhje ku morën pjesë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, Rama u ndal tek incidenti i rëndë i ndodhur pak ditë më parë, ku një efektiv shtyu gazetaren Anila Hoxha si dhe operatorin Endri Aga.

Rama tha se në raste të tilla do të ketë zero tolerancë. Ai e cilësoi rastin në fjalë si një njollë që i ngelet gjithë Policisë së Shtetit dhe u bëri apel efektivëve që të mos ofendojnë, shajnë, apo kërcënojë.

“Përshëndetje te gjithëve dhe shumë respekt për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, për punën e palodhur dhe patjetër dhe për rezultatet. Është për të ardhur keq kur individë të caktuar me uniformën e Policisë së Shtetit, siç ishte rasti i fundit i dikujt se keqtrajtoi një gazetare, jo për faktin se vajza ishte gazetare, por për faktin që ishte gazetare dhe ngjarja u bë më e bujshme. Fakti që keqtrajtoi një qytetare hedhin hije mbi këtë punë dhe mbi këtë sakrificë. Çdonjëri prej jush del nga shtëpia në një punë të vështirë dhe nuk e meriton në imazhin e uniformës që vesh të ketë të tilla stërkala balte.

Është e rëndësishme që jo vetëm të veprohet siç u veprua, me shpejtësi për ta larguar nga detyra, por është e nevojshme të mbahet parasysh se trupa e Policisë së Shtetit nuk ka nevojë për asnjë gjest dhe asnjë fjalë të tepërt, pasi është mishërimi i ligjit dhe ligji nuk flet, nuk shan nuk kërcënon, ligji vepron. Në veprimin e ligjit është krejt e tepërt që të bëhen gjeste që i ulin kokën për sa ditë me radhë punonjësve të Policisë së Shtetit, për faj të dikujt që nuk e meriton të jetë kolegu i tyre.”- tha Rama.