Tre persona janë arrestuar në Fier, Durrës e Tiranë. një 38-vjeçar me iniciale S.M., është ndaluar në Fier pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes në banesë.
Në Durrës janë ndaluar dy persona të shpallur në kërkim, 39-vjeçari me iniciale K.Ll., banues në Mamurras e 28-vjeçari me iniciale P.M., banues në Tiranë.
Ata janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm ndërkohë që ishin shpallur në kërkim, i pari nga policia e Tiranës ndërsa tjetri nga ajo e Korçës.
Njoftimi Fier
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin S. M., 38 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij e cila pasi ka marrë mjekim në spitalin e Fierit, është larguar për në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhunë në familje”.
Njoftimi Durrës
“Janë arrestuar shtetasit me inicialet K. Ll., 39 vjeç, banues në Mamurras, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe P. M., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Policia gjatë kontrolleve, ka bllokuar një automjet me të cilin 2 shtetas po transportonin 2 emigrantë nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit me shtetin grek.
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës, duke transportuar në drejtim të Shkodrës, me një automjet të marrë me qira, 2 shtetas sirian, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se shtetasi K. Ll. ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, më datë 08.11.2021, për veprën penale “Vjedhja”, ndërsa shtetasi P. M. ishte i shpallur në kërkim nga DVP Korçë, më datë 13.09.2021, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.”