Në një kohë kur duket sikur Partia Demokratike është ndarë në dy kampe, atë të mbështetësve të kryetarit aktual Lulzim Basha dhe atë të liderit historik të partisë, Sali Berisha, ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka një mesazh për demokratët.
Në një intervistë për “Top Channel” ambasadorja amerikane Yuri Kim është pyetur se çfarë do të ndodhte me marrëdhëniet e SHBA-ve me Partinë Demokratike në Shqipëri, nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj.
Ajo theksoi se nuk ka për të ndodhur një skenar, ku ajo apo pasardhësit e saj në krye të Ambasadës Amerikane në Tiranë të shkojnë qoftë edhe për kafe me dikë të shpallur non-grata.
“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.”– theksoi Kim.
Ndërkaq për kryetarin aktual të PD-së, ajo ka shprehur mbështetje: “Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.”