Vendosni fjalën kyçe....

Edi Paloka fton gazetarët në zyrë: Le të vijë kush do që të verifikojë formularët


Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka ditën e sotme iu ka hapur derën e zyrës së tij gazetarëve për t’u njohur me 4200 formularët e dorëzuar nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Për të hedhur poshtë aludimet, përveç gazetarëve, Paloka tha se edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike mund të vijnë dhe t’i verifikojnë firmat e delegatëve: “Kush të dojë që do të vijë dhe të verifikojë atë që ju verifikuat sot, pra a janë apo jo 4200 fletë. Pra ekzistojnë apo jo këto formularë, apo janë fantazi nga ana që i kanë sjellë, i kanë fshehur… se dëgjova lloj lloj aludimesh se pse i sillni me kuti të mbyllur, nuk e di mos duhet ti sillnim me kuti xhami… këto janë banalitete të vogla që nuk i vlejnë askujt.

Unë kam detyrimin përderisa kam deklaruar që ditën e parë që kam marrë në dorëzim 4200 formularë, kam detyrimin që t’ua vërtetoj kujtdo, gazetarëve por edhe përfaqësuesve të PD-së.” 

Ai përsërit: “Dua edhe njëherë ta theksoj, kush dëshiron të verifikojë janë apo jo 4200 formularët në zyrën time, le të vijë siç erdhët ju dhe ta verifikojë.” 

Paloka theksoi se formularët janë plotësuar dhe firmosur nga delegatët e kuvendit dhe përmbajnë të gjitha të dhënat.

“Qëllimi sot, i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia ju lutem të mos i fokusoni.

Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit. Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetar seksioni deri tek kryetari i partisë të degës. Janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emër të babës, numrat e kartës së identitetit dhe funksionin në parti që i bën delegat. As unë dhe as ju nuk do bëni verifikimin e emrave. Këtë gjë e bën komisioni i verifikimit të mandateve në Kuvend.

Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. Procedurat e statuti parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së Kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore. Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat.”- deklaroi Paloka.