Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi i përgjigjet Elona Gurit: Nuk e njoh fare atë, Kryemadhi u fsheh në Elbasan


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi në daljen e sotme për mediat, ka folur lidhur me reagimin e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi si dhe sulmit nga Elona Guri lidhur me mosdakordësinë mes dy forcave politike që nuk kandiduan në një listë më 25 Prill.

Bardhi tha se as nuk është mbledhur Kryesia e PD-së për të diskutuar për mundësinë e futjes në një listë me LSI-në, pasi kryetarja e kësaj force politike Monika Kryemadhi ka qenë e qartë që kjo nuk do të ndodhte.

“Nuk është mbledhur kryesia e PD sepse nuk ka pasur një dakordësi nga kryetarja e LSI për të patur mundësinë që ne t’i kërkonim kryesisë të dilnim me një listë. LSI ka pasur qëndrim të vazhdueshëm kundër përfshirjes në një listë me PD.

Ata thoshin se do të maksimalizonin votën, në rast se do të dilnin me lista të veçanta, ju i mbani mend deklaratat që ka bërë zonja Kryemadhi. Që thoshte se përmes ndryshimeve kushtetuese që u bënë në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, LSI do të merrte më shumë se 40 mandate.”– tha Bardhi.

Lidhur me reagimin e ashpër që bëri ditën e djeshme drejtuesja politike e Durrësit Elona Guri, Bardhi tha se nuk e njihte fare se kush është ajo. Ndërsa akuzoi drejtuesit e LSI-së se nuk kanë bërë fare fushatë në qarkun e Elbasanit.

Nuk e njoh fare kush është zonja (Për Elona Gurin). Nuk dua… Unë kam dhënë me dhjetra konferenca për shtyp, ju jeni dëshmitarë, ato që u fshehën dhe nuk erdhën një ditë në Elbasan, edhe pse drejtuan qarkun e Elbasanit janë arsyeja e vetme pse LSI nuk arriti dot të merrte asnjë mandat për fat të keq në Elbasan.

Ju besoj se dini se LSI nuk ka zhvilluar fushatë në Elbasan.

Nuk kam dalë këtu për të vlerësuar marrëdhëniet me LSI, ju përgjigja në respekt të pyetjes duke qenë se ka pasur një deklaratë të pakuptimtë nga kryetarja e LSI ndaj një deklarate krejt normale që bëra unë dje.”– u shpreh Bardhi.