Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e fermerëve në Lushnjë/ Policia procedon 5 prej protestuesve: Bllokuan qarkullimin për 15 minuta


Pesë persona janë proceduar nga ana e Policisë në Lushnjë, pas protestës që bënë fermerët e zonës së Myzeqesë ditën e djeshme, ku bllokuan për pak minuta qarkullimin në rrethrrotullimin e Plugut.

Mes protestuesve është edhe kreu i sindikatës së fermerëve Eduard Sharka. Fermerët e tjerë që janë shoqëruar fillimisht dhe më pas janë proceduar nga policia janë: Klejdison Hatija, Arben Vrapi, Ernesto Vrapi dhe Dashnor Oshafi.

Sipas Policisë, ata kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e rendit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht për veprat penale ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’, ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik’ dhe ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme’, shtetasit E. Sh., 43 vjeç, banues në Lushnjë, K. H., 23 vjeç, A. V., 41 vjeç, E. V., 36 vjeç, D. O., 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat, pasi ditën e djeshme në vendin e quajtur ‘Rotondo e Plugut’ kanë bllokuar kalimin e mjeteve për rreth 15 minuta dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Kujtojmë se fermerët protestuan një ditë më parë kundër paketës fiskale që ka prezantuar qeveria për vitin e ardhshëm, ku përfshihet edhe vendosja e TVSH-së 10% për imputet bujqësore. Gjatë protestës, fermerët bllokuan për pak minuta qarkullimin në rrethrrotullimin e Plugut ndërsa pati edhe një përplasje me Policinë.