Vendosni fjalën kyçe....

Nesër raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, Albin Kurti: Askush nuk do të kthehet në të kaluarën e errët komunale, koha të bëjmë zgjedhjet e duhura


Të dielën do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, për përzgjedhjen e kryetarëve të komunave.

Me këtë rast, përmes një postimi në “Facebook” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti falenderon qytetarët për mbështetjen që kanë treguar deri më tani për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kosovës,

Përgjatë këtyre ditëve të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale kemi qenë bashkë. Jemi takuar në shumë takime e tubime e diku edhe nuk kemi arritur. Koha është resurs i kufizuar. Për gjithë këtë mbështetje që ia keni dhënë Lëvizjes VETËVENDOSJE! unë ju falënderoj tej mase.

Ju na dhatë mundësinë që të jemi në balotazh në 12 komuna. Ky është një shans i madh për Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Dardanën, Vitinë, Gjakovën, Rahovecin, Kaçanikun, Shtimen, Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe Besianën. Në këto Komuna, votuesit tanë e kanë ngacmuar mentalitetin e vjetër dhe nesër më 14 nëntor është koha që ta zëvendësojnë krejtësisht, me një mundësi të re. Kjo është rruga e VETËVENDOSJE!-s.”- shkruan Kurti.

Ndërsa thekson se duhet të vazhdohen punët e mira që kanë nisur, Kurti shprehet se askush nuk po do të kthehet në të kaluarën.

Më tej ai thotë se ka ardhur koha që të bëjnë zgjedhjet e duhura, për të vendosur për qytete të jetueshme dhe projekte të dobishme për qytetarët.

“Në Prizren e Besianë duhet të vazhdohen punët e mira që kanë nisur dhe të kryhen shumë të tjera. Kurse në 10 komunat e tjera ku kandidatët e Lëvizjes janë në garë, qytetarët po duan t’i heqin rropullitë nga qeverisja e stërgjatë me përplot gabime. Mjaft më! Askush nuk po do të kthehet në të kaluarën e errët komunale.

Koha është që t’i bëjmë zgjedhjet e duhura. Të vendosim për qytete të jetueshme, plane të zbatueshme e projekte të dobishme për qytetarët.

Niveli komunal e ka maskuar keqpërdorimin nën petkun e asaj që korrupsioni ndodh më shumë lart, atje larg në institucione qendrore. Sikurse shumë punë të mira e me ndikim që mund të ndodhin vetëm në nivel lokal ku zhvillohet shumica e jetës sonë, edhe një pjesë e korrupsionit zhvillohet pikërisht nëpër Komuna. Prandaj, është e rëndësishme që kjo të ndalet siç është ndalur në nivelin qendror. Ky është hap i domosdoshëm për t’i hapë rrugë zhvillimit mëpastaj.

Komuna, kryetarët tonë të zgjedhur, kabineti dhe asambleistët do të jenë infrastruktura lehtësuese për përmirësimin e jetës. Këtu është qëllimi i politikës sonë – jeta. Siguria, qetësia, zhvillimi, atraksioni, lëvizja, shërbimi, kujdesi. A nuk janë këto mbështetje jetësore? Këto i synojmë në këto zgjedhje dhe kjo nuk është pak. Politikat lokale mund të bëjnë më së shumti dhe e kanë ndikimin më të shpejt e direkt te jeta e qytetarëve. Prandaj janë të rëndësishme. Prandaj edhe këto zgjedhje janë të tilla. Prandaj kemi më shumë se 144 arsye që ta votojmë këtë numër të dielën.

Këto zgjedhje mbyllin këtë cikël fitoresh të VETËVENDOSJE!-s. Na bëjnë edhe më të qëndrueshëm, më të përkushtuar e angazhuar sepse na obligojnë më shumë.”- përfundon Kurti.