Vendosni fjalën kyçe....

Po i largohej patrullës së Policisë, makina del nga rruga tek “Uji i ftohtë” në Tepelenë, pesë të plagosur


Një aksident me disa të plagosur ka ndodhur pasditen e sotme në vendin e quajtur “Uji i ftohtë” në Tepelenë.

Policia ka njoftuar se një automjet ka dalë nga rruga ndërsa po tentonte t’i ikte patrullës, e për pasojë kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i mjetit, pasagjerja e tij si dhe 3 emigrantë të paligjshëm.

Të pestë personat e mbetur të plagosur, janë transportuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku për fat të mirë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas kësaj, është vënë në pranga shoferi 20-vjeçar me inicialet A. K, banues në Tiranë.

INFORMACIONI I POLICISË

Në vijim të operacionit “Muzgu”, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i shtetasit A. K., u bë pasi në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, shtetasi i mësipërm nuk i është bindur urdhërit për të ndaluar të shërbimeve të policisë, të cilët po ushtronin kontroll në automjete, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe si rezultat i shpejtësisë së mjetit, në vendin e quajtur “Uji i ftohtë”, Tepelenë, mjeti ka dalë nga rruga.

Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i mjetit, pasagjerja, shtetasia E. B., banuese në Tiranë dhe 3 emigrantë të paligjshëm, të cilët janë transportuar për në Spitalin Rajonal Gjirokastër, pa probleme për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.

Materialet në ngarkim të shtetasit A. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”.