Presidenti rus Vladimir Putin tha se kriza emigrantëve në kufirin bjelloruso-polak është krijuar nga vendet perëndimore.
Putin foli për televizionin shtetëror rus Rossiya-1 për krizën aktuale të emigrantëve në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.
Duke kujtuar se presidenti i Bjellorusisë Aleksander Lukashenko dhe kancelarja gjermane Angela Merkel nuk e kanë diskutuar krizën me njëri-tjetrin, Putin tha se Lukashenko dhe kancelarja Merkel janë të gatshëm të bisedojnë.
“Shpresoj se kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe se një kontakt i tillë i drejtpërdrejtë do të jetë i mundur midis Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve kryesore të BE-së, të paktën midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Bjellorusisë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse emigrantët shkojnë në Gjermani”, tha Putin.
Putin tha se nuk duhet harruar se nga erdhi kriza e emigracionit.
“A është Bjellorusia në ballë të këtij problemi? Jo, këto janë shkaqet e krijuara nga vendet perëndimore dhe vetë vendet evropiane. Ato kanë natyrë politike, ushtarake dhe ekonomike. Natyra ushtarake, sepse të gjithë morën pjesë në operacionet ushtarake në Irak dhe tani ka shumë kurdë nga Iraku në kufi. Ata luftuan në Afganistan për 20 vjet. Tani ka më shumë afganë në kufi. Bjellorusia nuk ka asnjë lidhje me këtë”, theksoi Putin.
Presidenti rus tha se Lukashenko ndoshta mund të ndërpresë rrjedhën e gazit rus në Evropë dhe se ai do të bisedojë me të për këtë.