Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku kanë inauguruar nisjen e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Tuneli do shkurtojë kohën e lidhjes së rrugës së Vlorës me bregdetin ne fshatrat e jugut.
Gjatë fjalës së tij Rama tregoi edhe projektet e tjera infrastrukturore që do hapen apo që janë në punë dhe impaktin që japin në ekonomi.
“Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, një rritje të konsiderueshme të sigurisë dhe një lidhje organike me segmentin tjetër që është në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me by-passin e Vlorës që është drejt përfundimit me detajet e fundit për të qenë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik dhe më tutje me by-pass-in e Fierit. Nëse shohim drejt Jugut, po punohet në segmentin poshtë që lidh Palasën me pjesën tjetër të Bregut, drejt Dhërmiut duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në një zonë që po njeh një zhvillim të konsiderueshëm nga pikëpamja e ofertës turistike, për të shkuar akoma më poshtë në një tjetër vepër që ka qenë nga më të premtuarat Kardhiq-Delvinë, që bën një tjetër shkurtim të kohës, lëvizjes përgjatë gjithë këtij pellgu, duke e afruar shumë ndjeshëm Sarandën dhe nga ana tjetër duke ofruar pamje dhe zona të tëra për t’u vizituar që deri dje ishin tërësisht të paaksesueshme dhe të panjohura. Pa harruar rrugën e Lumit të Vlorës, pa lënë pa përmendur lidhjen mes Kurveleshit lartë dhe Bregut të Jonit poshtë, duke mos lënë mënjanë pjesën tjetër e cila lidh Nivicën poshtë me Tepelenën, pastaj drejt Përmetit që ndërkohë po lidhet përmes një rruge të re me Leksovikun, për të kaluar në Kolonjë, ku po punohet për lidhjen e shumëpritur me Korçën dhe faktikisht duke i dhënë mundësi turistëve, vizitorëve, udhëtarëve brenda apo atyre që vijnë nga jashtë që në një kohë shumë të shkurtër të mund të qarkullojnë në të gjitha këto territore që ishte e pamundur më parë. Mos të harrojmë aspektin ekonomik. Flet vetë rritja e menjëhershme e vlerës së pronës, asaj toke të mundur për zhvillim turistik dhe agro-turistik në gjithë pjesën e brendshme. Flet vetë për faktin se tani më gjithë ky zhvillim infrastrukturor i ka hapur rrugën një parafytyrimi shumë të prekshëm për të krijuar një realitet të ri të prodhimeve të zonës, të cilat nuk do të jenë më prodhime mbijetese për ata që janë në këto vise”, deklaroi Rama.
Ai njoftoi se pas pak ditësh do nisë puna në kantierin e aeroportit drejt Vlorës. Ndërsa në aeroportin e Rinasit do zgjerohet pista për fluturime drejt SHBA-së.
“Ajo që është shumë elementare dhe nuk do ishte nevoja të shpjegohej është që pikërisht të gjitha këto rezultojnë në një ekonomi shumë më të fortë, në të ardhura shumë më të larta, në një mundësi rishpërndarjeje shumë më të madhe që do të thotë shumë më tepër për njerëzit, që do të thotë paga më të larta dhe shumë më tepër vende pune dhe të paguara shumë më mirë.
Për pak ditë më në fund, pas një kalvari të vërtetë ne do të bëjmë të njëjtën gjë si sot, duke ngritur kantierin e aeroportit drejt Vlorës. Do të jetë një aeroport ndërkombëtar, do të jetë një aeroport i cili do të sjellë vlerë të shtuar si një aeroport i një kategorie të lartë, ndër më të lartat sipas standardeve europiane, 4E që do të ofrojë fluturime kudo, edhe kapacitet fluturimesh transoqeanike dhe shërbime të cilat ende sot nuk i ka aviacioni civil shqiptar që do të jenë të mundura dhe në aeroportin tjetër Nënë Tereza, falë një investimi tjetër që fillon nga ai aeroport në pistë që sot e bën të pamundur vendosjen e fluturimeve direkte me SHBA dhe vende të tjera jashtë Europës”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, brenda disa javësh do të hapet dhe kantieri i portit turistik të Vlorës.
“Një port për jahtet që përsëri është një tjetër motor për ekonominë e vendit.
Këto janë të gjitha ‘fabrika buke’ që sjellin hallka të reja të zinxhirit të vlerës. Në portin turistik të Vlorës do ketë shumë shërbime që do i kryejnë vendasit që do të thotë do ketë shumë vende pune, fluks të shtuar njerëzisht që do vijnë për të dalë, për të shëtitur, për të ngrënë, për të fjetur dhe do të sjellin para”, tha Rama ndër të tjera.
Në mbyllje të fjalës, lidhur me inaugurimin e nisjes së punimeve, Rama tha se nuk pret shirita pasi është i fokusuar tek fundi, por ia ka lënë nderin një vajzë, që siç tha ai u bë ikonë e këtij ndërtimi të shtypte butonin.
“Unë nuk pres shirita, nuk besoj tek gërshërët sepse jam shumë i fokusuar tek fundi, jo tek fillimi i punëve, por meqë këtë rast nuk është shirit, por buton dhe dikush duhet ta shtypë këtë buton, kërkova që ajo vajza që u bë ikonë e këtij ndërtimi ta shtypë butonin”, tha Rama.