Kreu i PD-së, Basha, ka akuzuar kryeministrin Rama se po u jep ologarkëve paratë e buxhetit te mbledhura nga taksat e qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend ku po prezantohet projektbuxheti i vitit 2022, kryedemokrati theksoi se qeveria Rama ka marrë më shumë borxh se çdo qeveri ndërkohë që i ka rritur taksat e tarifat më shumë që nga koha e Tanzimatit.
Po kështu Basha tha se 113 milionë eurot që u jepet koncesioneve do mjaftonin për uljen e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%, sipas propozimit të PD-së.
“113 milionë eurot do tepronin për propozimin e PD-së që e kishin në tavolinë dhe e kanë hedhur postë, për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për produktet e shportës. Por ky dhe këta nuk mendojnë për qytetarët. Edhe pse keni marrë më shumë borxh se të gjitha qeveritë, keni rritur taksat e tarifat më shumë që nga koha e Tanzimatit. Miliardat që keni marrë në emër të shqiptarëve, kanë shërbyer për ndërtimin e një ekonomie putiniste, të përqendruar në pak duar, në duart e pak oligarkëve me të cilat keni vrarë konkurrencën. E keni kthyer Shqipërinë në një vend nga ku largohen 7 herë më shumë se në Serbi. Vendi po plaket me shpejtësi. Bujqësia merr ndihmën më të vogël krahasuar me vendet e Ballkanit.” – tha Basha.