Policia britanike e ka shpallur si incident terrorist shpërthimin e ndodhur të Dielën jashtë Spitalit të Grave në Liverpool.
Një taksi shpërtheu dhe u përfshi nga flakët pak para orës 11:00 në një zonë të zbritjes pranë hyrjes, duke vrarë pasagjerin dhe duke plagosur shoferin.
Taksieri, i quajtur David Perry, u shpall hero nga kryebashkiakja e Liverpool-it Joanne Anderson pasi ai e kishte mbajtur të dyshuarin të mbyllur brenda automjetit.
Katër burra janë arrestuar në qytet sipas Aktit të Terrorizmit, shkruan BBC.
Shefi i Policisë kundër Terrorizmit në North West, Russ Jackson, tha se pasagjeri i taksisë dukej se kishte bërë një “pajisje shpërthyese të improvizuar” që shkaktoi shpërthimin.
Ndihmës shefi i policisë Jackson tha se policia e kishte mësuar identitetin e sulmuesit, por nuk do ta konfirmonte atë ende.
Jackson tha se shoferi i taksisë ishte liruar nga spitali pasi u trajtua për plagët e tij.
Tre të dyshuar të moshave 21, 26 dhe 29 vjeç, u arrestuan të dielën në rrugën Sutcliffe në Kensington. Policia tha se një burrë i katërt, 20 vjeç, u arrestua më pas në zonën e Kensington dhe po mbahej në paraburgim.
Burrat e arrestuar besohej se ishin “bashkëpunëtorë” të pasagjerit të taksisë.
Të katër burrat në paraburgim do të intervistohen më vonë nga detektivët e antiterrorizmit.