Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi njofton rendin e ditës: Kuvendi i 18 dhjetorit do jetë moment bashkimi


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi në një deklaratë për shtyp njoftoi pikat e rendit të ditës për Kuvendin e caktuar nga Kryesia më 18 dhjetor.

Duket se Kryesia ka futur në rend dite edhe vendimmarrjen për të vulosur pezullimin nga Grupi parlamentar i PD-së të Sali Berishës.

Pikë tjetër është përcaktimi i aksionit opozita dhe programi organizativ.

Dua të informoj opinionin dhe demokratët për vendimin e marrë nga kryesia, me shumicë dërrmuese të anëtarëve. Nisur nga situata në PD, pas shpalljes nga SHBA non-grata të Berishës. Me kërkesë të kryetarit të partisë, kryesia vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD ditën e shtunë më datë 18 dhjetor, ora 11:00. Me rend dite si më poshtë; vendimmarrjen e situatave politike për të mbrojtur interesat e partisë.

Ky është vendimi që ka marrë me votë të shumicës dërrmuese të PD-së. Çdo anëtar do të jetë prezent për të shprehur vendimin e tij në mbledhjen e 18 dhjetorit. Ky, e kam theksuar dhe në fjalën time, është moment i rëndësishëm. Duhet të jetë moment bashkimi, pavarësisht diferencave në mendim. Ftova dhe kolegët që mendonin ndryshe. Pati një refuzim prej tyre për të bërë rendin e ditës, pasi kanë përfshirë dhe çështje të tjera. Duke treguar edhe një herë se ajo çka ka ndodhur para 2 muajsh s’ka pasur lidhje me mbledhjen e PD apo të anëtarëve të Kuvendit për t’u dëgjuar. Në 18 dhjetori, ora 11 PD zhvillon mbledhjen e Kuvendit në Pallatin e Kongreseve”-tha Bardhi.

Rendi i ditës:

1.Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

2.Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

3. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.