Para pak ditësh, në Itali përfundoi një proces i gjatë ndaj organizatës më të fuqishme mafoze në vend, Ndrangheta-s. Në fund, 70 anëtarë të lidhur me klanin u dënuan nga gjykatësi.
Po kush është prokurori që çoi prapa hekurave anëtarët e Ndrangheta-s dhe që jeton nën mbrojtjen e policisë për më shumë se 30 vjet.
Nicola Gratteri është prokuror i antimafias italiane. Pas përfundimit të gjyqit të fundit ai tha se kjo gjë ishte tejet e rëndësishme dhe se nuk kishte frike nga asgjë e askush.
I lindur në vitin 1958, në Kalabri, ai është diplomuar për Jurisprudencë në Universitetin e Katanias. Synimi i tij kryesor që prej marrjes së detyrës ka qenë goditja e klanit Ndrangheta, sot organizata më e fuqishme mafioze në Itali pas çmontimit të Cosa Nostra-s nga autoritetet italiane.
Gratteri jeton nën mbrojtjen e policisë që prej vitit 1989. Përpjekjet për eliminimin e tij, siç ka ndodhur më herët me prokurorin Giovanni Falcone e gjyqtarin Paolo Borsellino, nuk kanë qenë të rralla. Në vitin 2005, forca speciale e Karabinierëve gjeti një arsenal armësh në një rajon të Kalabrisë që do përdoreshin për të eliminuar Gratteri-n.
Pak kohë më parë, një anëtar i penduar i Ndrangheta-s, Antonio Cataldo, rrëfeu se ka pasur një plan të mirëmenduar për ekzekutuar djalin e prokurorit Gratteri, por që më pas nuk u krye.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Gratteri e ka vënë përherë theksin te arsimimi i të rinjve si një mënyrë për t’u larguar nga jeta e rrugës e rekrutimi i mundshëm nga grupet mafioze.
Në vitin 2003, ai ishte në krye të një operacion masiv kundër Ndrangheta-s gjatë të cilit u arrestuan qindra persona.
Në vitet 2008-2011, Gratteri është përfshirë në goditjen e lidhjeve mes Ndrangheta-s e mafies siçiliane me kartelet e drogës nga Kolumbia e Meksika.
Në vitet 2014-2015, Gratteri ka drejtuar disa operacione kundër trafikut të drogës nga Kalabria drejt Nju Jorkut e trafikut nga Amerika e Jugut drejt Italisë e më pas në goditjen e disa klaneve të Ndrangheta-s.
I pyetur për punën e tij në vitin 2020 gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar Antimafia, Gratteri deklaronte: “Unë jam i dashuruar me këtë punë, jam i varur prej saj njësoj si të droguarit me lëndën narkotike. Po nëse do mendoja se nuk do mund të ndryshonim gjë, atëherë do kisha gjetur një profesion tjetër. Jam një fermer i infiltruar në magjistraturë. Mund të kisha zgjedhur të bëja fermerin ose gaztorin. Por unë mendoj se do e ndryshojmë Kalabrinë duke bashkëpunuar me ju, brenda pak vitesh do e ndryshojmë. Duke i bërë gjërat ashtu si duhet, brenda pak vitesh do kemi mundësinë të flasim e tregojmë një Kalabri ndryshe.”
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani