Një sulm me bombë ka ndodhur këtë të martë në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, ku janë vrarë të paktën tre persona dhe kanë mbetur të plagosur më shumë se 30 të tjerë.
Siç shkruan BBC, tre sulmues me motoçikleta hodhën veten në erë pranë parlamentit dhe selisë së policisë së qytetit, duke lënë pjesë të trupit të shpërndara në rrugë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve ka gjasa të rritet.
Lidhur me ngjarjen zyrtarët fajësuan Forcat Demokratike Aleate (ADF), një grup i armatosur me bazë në DR Kongo.
Sulmet ndodhën brenda tre minutave nga njëri-tjetri. Më shumë bomba janë gjetur në pjesë të tjera të qytetit.
“Kërcënimet për bombë janë ende aktive, veçanërisht nga sulmuesit vetëvrasës.”– tha zëdhënësi i policisë Fred Enanga. “Ne besojmë se ka akoma më shumë anëtarë të këtyre celulave terroriste vendase, veçanërisht të skuadrës për bomba vetëvrasëse që është krijuar nga ADF.”
Një sulmues i katërt thuhet se është arrestuar dhe është gjetur një jelek shpërthyes.
Dy policë ishin mes të vrarëve. Tridhjetë e tre të tjerë u plagosën nga shpërthimet, pesë të tjerë ndodhen në gjendje kritike.
Procedurat në parlament u ndërprenë dhe deputetët u këshilluan të mos vinin në ndërtesë pas sulmeve.
Makinat e parkuara pranë parlamentit janë përfshirë nga flakët, ndërsa nga shpërthimi pranë komisariatit janë thyer xhamat.