Pasi kryeministri Edi Rama e veçoi Lezhën si një bashki për t’u marrë shembull nga bashkitë e tjera përsa i përket pastrimit të mbetjeve.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu mori fjalën për të treguar metodën që është ndjekur nga ai dhe për të ndarë me kryebashkiakët e tjerë “çelësin” e tij të suksesit.
Ndreu tha se bashkia ka bashkëpunuar me bizneset, që i kanë mbledhur vetë mbetjet dhe i kanë nxjerrë në orare të caktuara që t’i marrë makina, ndërkohë që dhe vetë qytetarët janë ndërgjegjësuar.
“Bashkia ka qenë kryesore në menaxhimin e gjithë kësaj situate. E bëmë me më pak kosto. Vjet kishim 40 punonjës sezonal, sivjet ia dolëm vetëm me 20.
Kemi bashkëbiseduar me biznesin, edhe pse u pesëfishua pjesëmarrja në plazh. Në një orar të caktuar në verë nxirrnin plehrat me qese. Edhe njerëzit filluan të ndërgjegjësohen, por është shtuar dhe monitorimi.”– janë fjalët e Ndreut.
Ai foli edhe për një masë ndëshkuese ndaj qytetarëve që nuk paguajnë taksa, që sipas tij është ndjekur.
“Nëse nuk paguhen taksat në një lagje x, ne nuk do të bëjmë rrugë aty.”– u shpreh ai.
Ndreu shtoi se planifikon shtimi i kamerave në qytet, jo vetëm për të goditur krimin, por dhe për të identifikuara ata që hedhin plehra vend e pa vend.