Vendosni fjalën kyçe....

Akuza se falsifikoi certifikatën e vaksinimit pa bërë asnjë dozë, jep dorëheqjen trajneri gjerman i futbollit


Trajneri i një ekipi gjerman të futbollit ka dhënë dorëheqjen pasi akuzohet se ka përdorur certifikata të falsifikuara të vaksinës anti-Covid.

Skuadra e kategorisë së dytë Werder Bremen thotë se trajneri Markus Anfang i ka mohuar akuzat se ka falsifikuar certifikatën e vaksinimit, por përsëri vendosi të largohet nga detyra për shkak të hetimeve mbi statusin e tij të vaksinimit.

Edhe një tjetër anëtar i skuadrës së trajnerëve, Florian Junge, është larguar nga klubi për shkak të skandalit.

“Arsyeja e vendimit janë hetimet e prokurorisë publike ndaj dy trajnerëve dhe trazirat që pasuan mbi klubin.”- njoftoi klubi i futbollit.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SV Werder Bremen (@werderbremen)

Kjo vjen pasi trajneri Anfang publikoi ​​​​ të Premten një reagim mbi akuzat, ku tha se kishte marrë dy doza në një qendër zyrtare vaksinimi dhe shpresonte se çështja do të “zgjidhej shpejt”.

Markus Anfang mori drejtimin e klubit Werder Bremen në verë pas rënies së tyre nga Bundesliga dhe e ka udhëhequr klubin në vendin e tetë në klasifikime.

Ai tha të shtunën se vendimi për t’u larguar nga klubi ishte tërësisht i tij.

“Për shkak të stresit ekstrem që i është shkaktuar klubit, ekipit, familjes sime dhe vetes time, kam vendosur të largohem menjëherë nga detyra ime si trajner i Werder Bremenit.”– shpjegoi ai, citon RT. “Kam kërkuar që drejtuesit e klubit të zgjidhin kontratën time, një kërkesë që ata e kanë pranuar. I uroj Werderit të gjitha sukseset në botë, si për ndeshjen të shtunën kundër Schalkes dhe për të ardhmen”.

Klubi që atëherë ka njoftuar se ndihmës-trajneri Danjiel Zenkoviç do të marrë përgjegjësinë për punët e ekipit, duke shtuar se vendimi i marrë nga Anfang dhe Junge do të shuante “trazirat” në klub.

“Me këtë hap, Markus dhe Florian kanë marrë përgjegjësinë dhe synojnë t’i japin fund trazirave që kanë rrethuar klubin në ditët e fundit. Ne e respektojmë vendimin e tyre dhe tani do të fillojmë kërkimin për një trajner të ri.”- njofton klubi.