Vendosni fjalën kyçe....

“Ça të keqe ka me ardh leku te ne?!”- Paulin Stërkaj pro kampit të refugjatëve në Shqipëri


Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u diskutua sot për artikujt e publikuar në mediat britanike për mundësinë e krijimit të një kampi refugjatësh në Shqipëri.

Gjatë debatit, një prej deputetëve të pranishëm u shpreh se është dakord. Bëhet fjalë për deputetin socialist Paulin Stërkaj, ku u shpreh se është pro për strehimin e emigrantëve nga vendet e treta në këmbim të 100 mijë paundëve për person.

“Ne jemi një popull, gjysma në emigracion dhe gjysma këtu. I kemi patur dyert e hapura në të gjithë Europën. Nëse kostot i përballon shteti britanik.

Ky vendi jonë problemin e ka tek Financat, jo mendtë. Jo infrastrukturën për me jetu. Por jemi edhe humanë si popull. Ne kemi harru se i kemi pushtuar brigjet e fqinjëve tanë me mbingarkesë.

Bëhuni më të hapur. Ju e dini mirë çfarë ndodhi me NATO-n. Ju thoni kemi liberalizuar vizat. Unë thërras që ne nga kjo marrëveshje nuk na vjen asgjë e keqe. Ju thoni se po vijnë ata dhe po bëjnë një kamp në Shqipëri dhe po fiton lekë ai. Po me ardhur leku në Shqipëri çfarë të keqe ka?.

E thjeshta: Vjen një person me 100 mijë paund. Kosto minimumit jetik në Shqipëri është 500 paund. Kemi kohë me e mbajt 20 vite në Shqipëri pa asnjë lloj problemi. A e kupton?!

Ju e dini se çfarë njerëzish kemi në Britaninë e Madhe. Shqiptarët që jetojnë në Angli nuk i ka luajtur kush. Ka dhe me dy emra.

Kjo marrëveshje nuk na shqetëson hiç. Kjo marrëveshje na hap mundësinë me komunikuar edhe Britaninë e Madhe, edhe pse ka dalë nga BE. Siguria kombëtare cenohet kur nuk ke mundësi financiare me i mbajtur. I kam takuar. Ai mund të jetë edhe shqiptar dhe bën me u duk një fije si kaçurrel dhe të zi. Por nga kjo ju nuk duhet me u mërzit. Unë jam deputet i mazhorancës por unë shpesh herë kam dalë kundra qeverisë.

Kjo marrëveshje nuk i bën asgjë të keqe vendit tonë. Vetëm se na rrit mundësinë me qenë pak më human dhe më të gjërë se shumë njerëz që harrojnë se ku janë kenë e ku duam me shku.”- tha Stërkaj.