Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi pret në takim Ambasadorin Del Monaco: Të angazhuar për një reformë më të plotë Zgjedhore


Kryetarja e Lëvizjes për Integrim Monika Kryemadhi, është takuar këtë të hënë me ambasadorin e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco.

Pas këtij takimi, Kryemadhi thotë se në këtë takim, ajo foli për nevojat që Shqipëria ka për përmirësim të vazhdueshëm, drejt një demokracie funksionale, që garanton të drejtat e njeriut dhe biznesit.

Ndërsa ndalet në atë që e quan “masakra zgjedhore” e 25 Prillit, Kryemadhi thotë se LSI do të mbetet e angazhuar për një reformë më të plotë që mundëson barazinë e votës.

“Mirëprita me kënaqësi ditën e sotme Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasador Vincenzo Del Monaco. Duke e falenderuar për rolin pozitiv të misionit për reformat që vendi ka ndërmarrë lidhur me shtetin e së drejtës, i nënvizova nevojat që Shqipëria ka për përmirësim të vazhdueshëm, drejt një demokracie funksionale, që garanton të drejtat e njeriut dhe biznesit.

Masakra e 25 Prillit dëshmoi se politika shqiptare nuk ka dhënë ende një zgjidhje të plotë e afatgjatë për zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj ne do të mbetemi të angazhuar për një reformë më të plotë, për një sistem dhe ligj zgjedhor që mundëson barazinë e votës dhe e kthen pushtetin vërtetë në duart e sovranit. Reformat me standarde reale, që rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet dhe e ardhmja në Shqipëri, janë edhe rruga e vetme drejt integrimit në Bashkimin Evropian.”- shkruan Kryemadhi.