Në historinë e administrimit të financave publike shqiptare, procedurat e prokurimit kanë zënë vend si një vrimë e zezë e shpërdorimit dhe papërgjeshmërisë së përdorimit të fondeve publike.
Për shembull, vetëm në vitin 2020, më shumë se 20 për qind e procedurave totale të prokurimit u vlerësuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me rrezik të lartë, si rezultat i mundësisë së mosrealizimit të shërbimeve dhe punimeve, moslëvrimit të mallrave në cilësi, sasi e afat, si dhe nevojës për pagesa ekstra nëpërmjet shtesës së fondeve, etj.
KLSH, në raportin drejtuar Kuvendit për menaxhimin e sistemit buxhetor në vitin 2020, vuri në dukje se, korrupsioni në fushën e prokurimeve publike mbetet një nga problemet më serioze
Përveç problematikës me zbatimin e ligjit të prokurimit dhe tenderime përtej fondit limit, problematika më e madhe në sektorin e prokurimit publik lidhet me faktin se bëhen tenderë dhe prokurime që nuk janë të parashikuara në buxhet në planet trevjeçare të investimeve të miratuara nga Parlamenti.
Rastet me flagrante janë tenderimet e rrugëve. P.sh. projekti “Ndërtim rruga Palasë – Dhërmi”, është detajuar në muajin tetor 2020 me vlerë të buxhetuar vetëm për vitin 2020 në shumën 440 milionë lekë, e cila në dhjetor 2020 është rishikuar me plan përfundimtar 1,000 lekë, sipas KLSH.
“Ky projekt nuk ka qenë pjesë e PBA 2020-2022, ndërkohë që paraqitet në PBA 2021-2023 në shumën 850 milion lekë. Nga auditimi konstatohet se për këtë projekt janë filluar procedurat e prokurimit në datë 22.10.2020 është lidhur kontrata në shumën 1,875 milionë lekë me TVSH në vitin 2021. Konstatohet se procedura e prokurimit ka vazhduar, megjithëse nuk ka pasur fonde dhe vlera e angazhuar në total nuk përputhet me koston e këtij projekti në PBA 2021-2023 në shumën 850 milionë lekë, duke ndërmarrë angazhime përtej buxhetit të miratuar në shumën 1,025 milionë lekë me efekt në krijimin e detyrimeve të prapambetura, si dhe ky projekt nuk është parashikuar të financohet në Projekt Buxhetin 2021”, thuhet në raport.
Situata është e njëjtë edhe në projektin “Ndërtim mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, i cili është detajuar në muajin Gusht 2020 me vlerë të buxhetuar për vitin 2020 në shumën 340 milion lekë, e cila në Dhjetor 2020 është rishikuar me plan përfundimtar 1,000 lekë. Ky projekt nuk ka qenë pjesë e PBA 2020-2022, ndërkohë që paraqitet në PBA 2021-2023 në shumën 889 milion lekë.
Nga auditimi konstatohet se për këtë projekt janë filluar procedurat e prokurimit në datë 15.10.2020 dhe është lidhur kontrata në shumën 1,683 milionë lekë me TVSH në vitin 2021. Konstatohet se procedura e prokurimit ka vazhduar, megjithëse për këtë projekt investimi nuk ka pasur fonde në dispozicion dhe vlera e angazhuar në total nuk përputhet me koston e këtij projekti në PBA 2021-2023 në shumën 889 milion lekë, duke ndërmarrë angazhime përtej buxhetit të miratuar në shumën 794 milion lekë.
Situata është e njëjtë edhe në projektin “Rikonstruksion i rrugës Dukaj –Sinanaj Tepelenë”. Ky projekt nuk ka qenë pjesë e PBA 2020-2022, ndërkohë që nuk paraqitet as në PBA 2021-2023 dhe as në listën e investimeve paraqitur me Projekt Buxhetin 2021. Nga auditimi konstatohet se për këtë projekt janë filluar procedurat e prokurimit në datë 19.10.2020 dhe është lidhur kontrata në 21.12.2020 në shumën 457 milionë lekë. Konstatohet se procedurat e prokurimit kanë filluar përpara se të detajohen fondet në thesar pra pa pasur fondet në dispozicion dhe vlera e angazhuar në total në shumën 457 milion lekë.
Projekti “Ndërtim i rrugës, lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit” ka filluar procedurat e prokurimit në datë 19.10.2020 dhe është lidhur kontrata në 24.12.2020 në shumën 681 milion lekë. Konstatohet se procedurat e prokurimit kanë filluar pa pasur fondet në dispozicion dhe vlera e angazhuar në shumën 681 milionë lekë është përtej buxhetit të miratuar, si dhe ky projekt nuk është parashikuar në Projektbuxhetin 2021.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor