Vendosni fjalën kyçe....

Më 25 nëntor hiqet çadra në sheshin “Skënderbej”, Ministria e Shëndetësisë: Vaksinimi kundër COVID-19 zhvendoset pranë qendrave shëndetësore


Pas dy ditësh do të hiqet çadra e ngritur në heshin “Skënderbej” në tiranë, për kryerjen e vaksinave anti-Covid.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes një njoftimi, ku shkruan se shërbimi i vaksinimit pranë pikës së përqendruar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të transferohet pranë qendrave shëndetësore si dhe pikës së vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”.

“Duke filluar nga dita e enjte, datë 25 nëntor, ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve do të jetë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në Stadiumin ‘Air Albania’, aty ku do të vijojë çdo ditë vaksinimi antiCOVID.
Për të kryer vaksinën antiCOVID, kontaktoni mjekun tuaj të familjes.
Vaksinimi anticovid është i hapur për fëmijët 12-15 vjeç me frenim të imunitetit si dhe për çdo qytetar mbi 16 vjeç. Aktualisht po kryhet edhe doza e tretë e vaksinës antiCOVID, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.”– thuhet në njoftim.

Kujtojmë se prej 11 janarit të këtij viti, në Shqipëri ka nisur programi i vaksinimit kundër virusit.

Në Mars në sheshin “Skënderbej” ishin ngritur dy çadra për të mundësuar një kapacitet shtesë të injektimeve për programin e vaksinimit kundër COVID-19.