Gjashtë persona janë arrestuar në Tiranë.
Ata akuzohen për shitje kanabisi, vjedhje, dhunë në familje e veprime të turpshme në publik.
Njoftimi
“Vihen në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– I. M., 32 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa;
– S. S., 20 vjeç, pasi është konstatuar duke shitur lëndë të dyshuar narkotike. Gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. P., 18 vjeç, pasi u kap duke vjedhur një biçikletë. Gjithashtu, nga veprimet hetimore, ka rezultuar se ky shtetas është autor edhe i tri vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë, konkretisht:
– Më datë 15.10.2021, i ka vjedhur biçikletën shtetasit R. K.;
– Më datë 18.11.2021, i ka vjedhur biçikletën shtetasit E. K.;
– Më datë 21.11.2021, i ka vjedhur biçikletën shtetasit A. L.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. B., 22 vjeç, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është konstatuar nga shërbimet e Policisë, jashtë banesës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë ndalimin e shtetasit N. Sh., 37 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëjetueses, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. M., 59 vjeç, pasi ka tentuar të kryejë veprime të turpshme në publik, në prani të një shtetaseje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”