Vendosni fjalën kyçe....

OBSH: Evropa dhe disa vende të Azisë mund të përballen me 700 mijë vdekje të tjera deri në Mars


700 mijë njerëz të tjerë mund të vdesin nga Covid-19 deri në muajin Mars të vitit të ardhshëm në Evropë dhe pjesë të Azisë, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Numri i vdekjeve tashmë tejkalon 1.5 milion në 53 vendet e asaj që OBSH e quan rajonin e saj të Evropës.

Sic raporton BBC, OBSH ka paralajmëruar për “stres të lartë ose ekstrem” në njësitë e kujdesit intensiv në 49 prej vendeve deri në mars 2022.

Evropa po përballet me një rritje të rasteve me virusin, duke bërë që Austria të kthehet në bllokim dhe të tjerë shtete të marrin në konsideratë masa të reja.

Një numër vendesh – përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Greqinë – gjithashtu së shpejti mund t’i bëjnë dozat përforcuese një kërkesë për qytetarët e tyre, që ata të konsiderohen të vaksinuar plotësisht.

Por në disa vende janë zhvilluar protesta të ashpra kundër masave të reja. Holanda pati disa netë trazirash pasi qeveria vendosi për një bllokim të pjesshëm.

Në vlerësimin e saj, OBSH paralajmëroi se Covid ishte shkaku kryesor i vdekjeve në rajonin e saj të Evropës.

“Vdekjet kumulative të raportuara parashikohen të arrijnë mbi 2.2 milionë deri në pranverën e vitit të ardhshëm, bazuar në tendencat aktuale.”– tha OBSH të martën.

Vdekjet e konfirmuara të lidhura me Covidin kohët e fundit u dyfishuan në pothuajse 4,200 në ditë, shtoi ai.