Debate të forta kanë shoqëruar mbledhjen e sotme në Komisionin Hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku u diskutua mbi listën e zyrtarëve të lartë dhe figurave publike që duhet të thirren për të dëshmuar para komisionit.
PS nuk e miratoi planin hetimor të propozuar nga kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj duke votuar kundër tij, pasi kërkuan heqjen e 2 dëshmitarëve të thirrur nga demokratët, drejtuesit e SPAK-ut dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
Alibeaj nuk i hodhi 2 kërkesat e PS-së në votim, duke e cilësuar të paligjshme kufizimin e të drejtës për të hetuar dhe socialistët nuk e votuan planin e hetimit.
Deputetja Blerina Gjylameti e ironizoi Alibeajn, duke u shprehur se pas datës 11 dhjetor, që përkon me Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha, Komisioni Hetimor do të ketë më në fund një kryetar që respekton ligjin.
Ndërsa Alibeaj u shpreh se me votën kundër planit të hetimit, PS zbuloi skenarin për të penguar hetimin e masakrës zgjedhore, pasi pa plan hetimor, nuk mund të ketë hetim.
DEBATI I PLOTË
Enkelejd Alibeaj: Nuk do të hidhen në votim kërkesat për të përjashtuar zotërinjtë Kraja dhe Çela, respektivisht drejtori i SPAK dhe drejtues i Prokurorisë së Përgjithshme, sepse cënon të drejtën e anëtarëve të Komisionit për të kërkuar prova dhe nuk hidhet në votim as çështja për të kufizuar kohën nga 1 janari 2020 – 24 dhjetor 2020. Ky është plani i hetimit së bashku me shtesat.
Blerina Gjylameti: Kemi kohë edhe dy javë për të patur një kryetar, i cili do të dijë të respektojë ligjin. Data 11 e përcakton që nuk do të jetë më.
Enkelejd Alibeaj: Kush është pro?
Blerina Gjylameti: 4200 dëshmitarë do të thërrasim. 4200 dëshmitarë patjetër.
Enkelejd Alibeaj: Kush është pro? 3 veta pro. Kush është kundër? 6 kundër. Duke qenë se plani i hetimit është i tillë, i cili nuk kalon dot pa votim të ndërmjetëm që do të thotë pa votat pro të shumicës, rezulton se nga të gjithë anëtarët kanë votuar pro vetëm 3 anëtarë. 1 abstenim dhe 7 anëtarë të shumicës të cilët kanë votuar kundër miratimit të planit të hetimit. Që do të thotë që sipas ligjit, për sa kohë që nuk miratohet plani i hetimit, nuk mund të deklarohet dot fillimi i hetimit që do të thotë, hetimi i këtij komisionin përfundon këtu. Përgjegjësia ligjore dhe politike është tashmë në sytë e të gjithë publikut. Derisa të ketë një reflektim nga ana e anëtarëve të cilët kanë votuar kundër vazhdimit të hetimit, fatkeqësisht duhet të deklaroj këtë që ligji thotë.
Këtu ndërpritet veprimtaria hetimore, është e qartë se përse u ndërpre. U demaskua skenari. Skenari është i thjeshtë. Nuk duan të hetojnë, nuk dua të bëjnë publike atë se çka ndodhur në kundërshtim të ligjit dhe votimit të Kuvendit dëshirës së shprehur disa javë javë më parë, më 14 tetor, për këtë arsye për sa kohë që plani i hetimit nuk mund të vazhdojë më tej, kjo mbledhje nuk ka më se ç’të debatojë më tej, seanca për këtë arsye mbyllet dhe do të ketë njoftim për seancën e rradhës. Do të merremi vesh sipas ligjit dhe rregullores. Fatkeqësisht ky ishte fundi i parashkruar nga ana juaj.