Vendosni fjalën kyçe....

Burri i Merkelit sulmon të pavaksinuarit: E çuditshme si nuk ndjekin shkencën


Profesor Joachim Sauer, bashkëshorti i ish-kancelares gjermane në largim Angela Merkel, ka sulmuar qytetarët e pavaksinuar, duke thënë se ata po injorojnë shkencën dhe po tregohen ‘dembelë’.

“Është e habitshme që një e treta e popullsisë nuk ndjek provat shkencore. Pjesërisht kjo është për shkak të përtacisë dhe vetëkënaqësisë së gjermanëve”, tha Sauer në një koment të rrallë publik për gazetën italiane La Repubblica dhe të marrë nga Die Welt.

Burri i kancelares kritikoi gjithashtu ata, përfshirë mjekët dhe shkencëtarët, të cilët kanë një ‘reagim ideologjik ndaj asaj që ata e konsiderojnë një diktaturë vaksinimi’.

Sauer, i cili është një profesor i kimisë kuantike, shprehu gjithashtu shpresën se pandemia do të nxiste një interes për shkencën te brezat e rinj.

“Do të ishte mirë nëse shumë do të interesoheshin për shkencën dhe do të vendosnin ta studionin atë, ka nevojë,” tha ai.

Të hënën, vetë Merkel thuhet se e quajti situatën e Gjermanisë Covid-19 ‘shumë dramatike’ dhe shprehu mbështetje për masa më të ashpra, megjithë protestat masive në Evropë të nxitura nga kufizimet tashmë ekzistuese.