Vendosni fjalën kyçe....

Klodian Tomorri kritikon paketën fiskale të qeverisë: Prostitucioni fiskal është monumental



Gazetari i Ekonomisë Klodian Tomorri, përmes një shkrimi ka treguar se si lobimi i grupeve të privilegjuara të interesit ka zhbërë dy prej masave më të mira sipas tij në paketën fiskale për vitin e ardhshëm: vendosja e një takse prej 100 lekë për litër mbi importin e qumështit pluhur dhe futja në regjim taksimi e karburantit që u shitet jahteve me 65 lekë për litër.

“Sapo këto dy propozime u bënë publike grupet e privilegjuara të interesit nisën menjëherë lobimin. Ajo që ndodhi më pas është një turp i madh korruptiv, ku deputetët e zgjedhur me votën e popullit trafikojnë interesin publik për interesa të ngushta financiare.”– shprehet Tomorri në një artikull për MCN TV.

Sipas gazetarit, taksa e qumështit pluhur u zhbë “me një nen tinëzar” që iu shtua ligjit pas dorëzimit të paketës. Tomorri ndërsa bën analizën e tij, shprehet se ka ndodhur një “prostitucion fiskal”.

“Këtë herë lobimi ndodhi në Ministrinë e Financave. Pasi e kishte dorëzuar zyrtarisht në Kuvend projektligjin që taksonte qumeshtin pluhur, Ministria e Financave shtoi dhe një nen tjetër, i cili e heq taksën kur qumështi importohet nga fabrikat e përpunimit të qumështit.

Prostitucioni fiskal në këtë rast është monumental. A thua se qumështin pluhur e importonin fermerët apo këpucarët dhe jo fabrikat e përpunimit të qumështit. Pra amendamenti korruptiv de facto e hoqi taksën e qumështit.”- shpjegon ai.

Ndërkohë për masën e dytë të taksës mbi karburantin e jahteve, Tomorri shprehet se lobimi ndodhi në Parlament.

“Pasi u kafshuan nga lobistët, deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, vendosën që taksën e karburantit të jahteve ta ulnin nga 65 lekë për litër që ishte niveli i propozuar, në 40 lekë për litër. Ky ndryshim u merr qytetarëve shqiptarë 5 milionë dollarë në vit nga arka publike dhe i çon në llogaritë private të lobistëve.”– shprehet ai.

Sipas kësaj analize që bën gazetari, ata që do të goditën më shumë nga paketa e re fiskale janë shtresa më e varfër e këtij vendi, fermerët. Për këta të fundit Tomorri ka një thirrje: “Shikojini të gjithë deputetët në Parlament. Ata që do të ngrenë dorën dhe do të votojnë këtë paketë, pështyjini kur të vijnë në zonat tuaja dhe të kërkojnë sërish votën. Sepse ata nuk janë deputetë, por trafikantë të interesit publik. Shumë më të rrezikshëm se trafikantët e drogës.”

Projektbuxheti i vitit 2022 sapo u miratua në Kuvend me 77 pro dhe 46 kundër.